Në një bashkëbisedim online me gazetarët, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe opozitës, se në Shqipëri po favorizohen oligarkët.
Ai u shpreh i vendosur se në vendin tonë nuk ka oligarkë. Madje ai e ka sqaruar më tej këtë term. Për të, oligarkë nuk janë ata që janë sipërmarrës të pasur, apo që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se të tjerët. Kreu i qeverisë sqaroi se oligarkë janë ata që influencojnë drejtpërdrejtë vendimmarrjet e qeverisë, dhe caktojë axhenda politike në interes të tyre.
Ai shtoi më tej se në vendin tonë ka biznesmenë dhe sipërmarrës, por jo oligarkë.
“Nuk kam asnjë ndjenjë të posaçme. Unë i mbetem asaj që kam thënë, sepse e besoj edhe sot në Shqipëri nuk ka oligarkë.
Oligarkë nuk janë ata që janë sipërmarrës të pasur, apo që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se të tjerët. Oligarkë janë ata që influencojnë drejtpërdrejtë vendimmarrjet e qeverisë dhe caktojnë axhenda politike në interes të tyre.
Nuk ka asnjë person që ta ketë këtë pushtet në Shqipëri, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim që nuk ka qenë i diktuar nga bindjet tona dhe në qasje me interesat e vendit.
Ky term përdoret në mënyrë të gabuar. Po flitet për disa njerëz që nuk janë bërë të pasur se erdhëm ne në qeveri, por kanë qënë ndër vite dhe me ardhjen tonë po paguajnë më shumë taksa”, tha Rama.