Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do ta padiste për shpifje.
Në një lidhje telefonike për “News24”, Haradinaj nuk i mohoi akuza e tij për Ramën, Hashim Thaçin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Për të cilët deklaroi se kanë bashkëpunuar për ndarjen e kufijve të Kosovës.
Haradinaj u shpreh se Rama ka të drejtat e veta, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij kundër ndarjes së territorit të Kosovës është legjitim.
“Sot kam parë disa tituj të portaleve në Kosovë. Por se kam përcjell direkt intervistën e tij. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës.
Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Këto kanë qenë vendim legjitim i imi. S’kam koment për deklarata të tjera.
Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët. Detyrën time në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve.
Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Haradinaj.