Rama sulmon Metën: Ëndërron luftë, por jo me Covid-in

Kryeministri, Edi Rama ka reaguar sërish ndaj deklaratave të opozitës, duke thënë se kapacitetet spitalore në vend nuk janë ezauruar dhe se ka shtretër të lirë për pacientët me Covid-19.

Nga takimi me strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se edhe në vende të tjera si në Itali, ka njerëz të shtrirë në dyshemetë e spitaleve se nuk ka vend.

Edi Rama:‘Mund të na kishte ndodhur dhe ne dhe mund të na ndodhë larg qoftë dhe ne të jemi si Italia, edhe në Lombardi ku është ekselenca e shërbimit shëndetësor ku rrinë të shtrirë në dysheme se nuk ka vend, nuk ka vend. Por, çfarë do të thotë kjo. Dhe si mundet që shqiptarëve t’i flitet sikur kjo flamë ka rënë vetëm në Shqipëri dhe jo në të gjithë botën dhe si mundet që të mos gjendet ajo forcë njerëzore, morale për tu bërë njerëzor dhe për të qenë e përpjekjes për të ndihmuar njerëz.”

Sipas Ramës, opozita ka në majë të gjuhës propagandën e katastrofës, ndërsa nuk lë pas thumbat për Presidentin, duke thënë se ëndërron luftë me qeverinë.

Edi Rama: ”Si mundet që një opozitë e tillë, në radhë të parë PD, ti mbetet në majë të gjuhës propaganda e katastrofës, e qametit dhe nga ana tjetër kapardiset në Kuvend me një President që del sikur po del në oborrin e ndonjë klubi në një ndërtim pa leje në një periferi të humbur, i dehur plotësisht dhe thotë i vë notën 10 kësaj opozite. Sigurisht se për vete shkon dhe më larg. Ëndërron luftë, jo me Covidin, por me qeverinë. Jo me armikun e padukshëm por me shumicën që e ka kthyer në shënjestër si të jetë forcë armiqësore.”