Kryeministri Rama ka shtuar edhe më tej masat shtrënguese lidhur me parandalimin e koronavirusit. Ai ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook, se është gati aplikacioni online ose me sms, për të marrë leje për të bërë pazar. Nga e hëna, vetëm një anëtar i familjes bën pazarin dhe kjo me leje dixhitale.
Ai do të ketë të drejtën për të kryer të gjitha blerjet për shtëpinë. Po kështu, sikundër edhe javën që lamë pas, nga ora 13:00 nesër e deri të hënën në orën 05:00, të gjithë do të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi.
Çdo gjë tjetër do të jetë e mbyllur, duke filluar nga bizneset, furrat e bukës e farmacitë. Kjo skemë do të vijojë edhe këtë fundjavë.
Këto masa të rrepta vijnë në një kohë kur shumë të moshuar dalin për të kryer pazarin, ndonëse e kanë të ndaluar. Madje ka qenë vetë kryeministri Rama që ka dalë në terren, dhe ka hasur në shkelje të shumta nga ana e qytetarëve, të cilët shkelin orarin e vendosur nga qeveria.
Statusi
? GATI APLIKACIONI ONLINE OSE ME SMS PËR LEJE-DALJEN E VETËM NJË PERSONI NGA FAMILJA PËR TË BËRË PAZAR!
? NJËSOJ SI JAVËN E SHKUAR, NGA ORA 13.00 NESËR DERI TË HËNËN 05.00 TË GJITHË NË SHTËPI DHE TË GJITHË QEPENAT MBYLLUR!
? NGA E HËNA ASKUSH NUK DEL DOT MË NË PAZAR, PA MARRË LEJEN DIGJITALE ME E-MAIL OSE TELEFON NË EMËR TË FAMILJES
*pas pak do të bëjmë prezantimin e aplikacionit që është shumë i thjeshtë dhe nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në Tiranë e në qendrat urbane.