Prej orës 13:00 të ditës së sotme, deri në orën 05:00 të ditës së hënë, ndalohet qarkullimi për të gjithë qytetarët dhe automjetet. Nga ky rregull bëjnë përjashtim mjetet e transportit të mallrave dhe produkteve ushqimore vetëm për të furnizuar marketet dhe minimarketet, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, SHPSF-të, Policia e Burgjeve, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike, si dhe ata që janë të përfshirë në listat e bashkive për shërbime të ndryshme dhe shërbimet në banesë.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të urdhrit për mbylljen apo kufizimin e lëvizjes në Republikën e Shqipërisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19:
Ndalohet qarkullimi për të gjithë qytetarët dhe automjetet, prej orës 13:00 të datës 21.03.2020 deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020.
Përjashtohen nga ky rregull, mjetet e transportit të mallrave dhe produkteve ushqimore vetëm për të furnizuar marketet dhe minimarketet, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, SHPSF-të, Policia e Burgjeve, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike, si dhe ata të përfshirë në listat e bashkive për shërbime të ndryshme dhe shërbimet në banesë (delivery).
Të gjitha autorizimet e dhëna nga Policia e Shtetit shfuqizohen, duke filluar nga ora 13:00 e datës 21.03.2020 deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të respektojnë të gjitha kufizimet, pasi nuk do ketë asnjë tolerim për askënd që i shkel ato.
Kryeministri Rama tha pak çaste më parë në një komunikim live në Facebook, se çdokush që do të thyejë ligjin e luftës, do të penalizohet me heqjen e çdo ndihme shtetërore dhe s’do ti jepet asnjë kompensim financiar.
Rama theksoi se tani është koha që të mësohet me pahir dhe jo me hir çdokush që thyen urdhrat e qeverisë, për masat ndaj koronavirusit.
“Çdokush që shkel rregullat, do të quhet tradhtar lufte dhe do të trajtohet si i tillë”, tha kryeministri.
Ai komunikoi se policia dhe ushtria do të ushtrojnë çdo lloj force ndaj personave që kapen në shkelje flagrante, në një kohë kur për këdo, dy ditë vendi do të jetë në shtetrrethim.
“Bankat do të shërbejnë brenda kësaj fashe orari, nga ora 5 e mëngjesit deri në 14:00. Ecja me të tjerë në lagje, gjatë orarit për lëvizje, nuk do të tolerohet më paqësisht”.
Përsa i përket pensionistëve, Rama u shpreh se ata do të konsiderohen tradhtarë lufte, si dhe do të trajtohen me zero tolerancë.
“Të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri tek forcat speciale janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet që përdoren në rast shkelje të ligjit në tubime të paligjshme. Deri tek uji apo gazi lotsjellës. E mbështet pa asnjë rezervë këtë vendim të drejtuesve të policisë”, tha Rama.