Ndonëse Meta tha sot se në 30 qershor do të kemi zgjedhje imagjinare, nga ana tjetër, Rama do ti shkojë deri në fund misionit të tij. “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk ka asnjë vlerë juridike, për datën e zgjedhjeve vendore”, tha Presidenti Ilir Meta në një konferencë për shtyp. Sipas kreut të shtetit, dekretin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Ndonëse Partia Socialiste në pushtet vijon fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, Presidenti Meta deklaroi se data 30 qershor është e paligjshme.
Gjatë mesdistës, në një takim me banorë të njësisë Administrative Nr.2, në prani të kreut të Bashkisë, Veliaj, Rama ka thënë se kjo që po bën opozita është vetëvrasje politike spektakolare.
“Secili me mendjen e vetë, kur nuk do të hysh në zgjedhje nuk merr dot peng gjithë dynjanë, është vetëvrasje politike spektakolare, por s’kemi ça të bëjmë. Kjo histori, unë nuk jam gati për ndeshje, ti nuk do hysh në stadium, kjo nuk ka shans të ndodhë.
Nuk është çështja thjesht, është atmosfera e paligjshmërisë dhe klima e krijuar, bjeri murit me kokë dhe kjo përhapet, ça mësimi i jep se në fund kemi harruar thelbin, ose një nga misionet e politikës që të ketë edhe forcën e shembullit. Çohen 5 vetë në një klasë e thonë nuk bëhet mësim, se nuk duam ne e bjeri bangave, si është kjo. Çohen 5 veta në trupën e shërbimit në spital e thonë nuk shërbehet, o të ikë drejtori o s’ka, është stimulimi i antiligjet e antishtetit në mënyrën më kriminale dhe për më tepër politikanët që bëjnë ligjet vetë, dhe sillen sikur janë mbi ligjet”, tha Rama.
Ai ka thënë se kjo histori nuk mund të vazhdojë kështu. “Hajde të bëjmë marrëveshje, ta zgjidhim po kështu e ka Kushtetuta, por ta zgjidhim tani, rruga e shkurtër që të nxjerrë gjatë, nuk vazhdon kjo histori. Prandaj këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, jo kush do zgjidhet kryebashkiak, por si do jetë vendi të nesërmen”, deklaroi ai.
Rama nuk ka lënë pas batutat me filxhanin. “Ja, janë dy rrugë, ecin paralelisht, është një ‘I’ me kokë lart e pikë poshtë”, tha duke qeshur ai, e duke shtuar “Nuk ka ‘P’, Parlamenti nuk ekziston, ‘P’ ka ikur, ka vetëm ‘I”.