Rama: Patronazhistët e PD janë paramilitarë të armatosur që vrasin njerëz

Kryeministri Edi Rama ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e sotme në Elbasan, ku mbeti i vrarë një aktivist i PS, dhe mbetën të plagosur katër të tjerë.

I ftuar në emisionin ”Real Story”, Rama tha se Partia Socialiste akuzohet për patronazhistët e saj që trokasin derë më derë si bëjnë në çdo parti të madhe perëndimore, por patronazhistët e PD-së janë paramilitarë të armatosur që lëvizin në qytetet shqiptare me furgona.

Edi Rama: ”Komenti im është që të gjithë qytetarët le ta mendojnë për një moment, që sikur kjo ngjarje të ishte zhvilluar në kah të kundërt. Sikur furgonë të ngjashëm me të policisë të kishin mbërritur në çdo qytet, të mbushur me njerëz paramilitarë, ish oficerë policie, të kishin logon e PS dhe t’i kërkonin njerëzve hesap, imagjinoni sikur në furgonët me paramilitarë të hapej zjarr, të vritej dikush, të plagosej një efektiv policie, dhe mu aty pranë kufomës, Taulant Balla të mbante një fjalim ku të akuzonte palën tjetër, të merrte vrasësin dhe të largohej. Ne jemi vënë nën shënjestër për organizimin me patronazhistë, ndërkohë që patronazhistët e PD janë të armatosur dhe shkojnë deri aty sa vrasin njerëz.”