Rama: Partia Socialiste është krijuar për të bërë gjëra të vështira

Kryeministri Edi Rama prezantoi kanidatët për deputetë të Partisë Socialiste, të cilët do të garojnë në qarkun e Tiranës, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se zgjedhja e inxhinieres Luljeta Bozos dhe drejtoreshës së spitalit Infektiv, Najada Çomo, nuk ishin të rastësishme.

Sipas Ramës, megjithëse është bërë shumë në çdo sektor e në veçanti atë të shëndetësisë, mandati i dytë u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se Partia Socialiste është krijuar për të bërë gjëra të vështira.

Edi Rama: Është e qartë që qoftë zgjedhja e Luljetës apo e Najadës nuk janë të rastësishme në një kohë që ne jemi të detyruar të kalojmë dy ngjarje të rëndësishme. Siç ishte sfida e rindërtimit që na sprovoi deri në fund si shoqëri. Dhe pse kemi bërë shumë në të gjitha drejtime, sidomos në atë të shëndetësisë. Ajo që mbetet për tu bërë në mënyrë që shëndetësia jonë të shkojë në një nivel tjetër, nuk është pak. Pyetja vjen natyrshëm: Çfarë do të kishim bërë, si do ta kishim përballuar si shoqëri, goditjen nga virusi, nëse nuk do të kishim bërë të gjithë atë punë që kemi bërë, se çfarë përkujdesje apo mundësie do të kishte sistemi ynë të përballej, duke u qëndruar përballë njerëzve, në sallat e reanimacioneve, nëse virusi do të kishte zbritur në këtë vend, disa vite më parë, në vendin tonë, ku spitalet ishin në një gjendje të mjerueshme.

Ne jemi e vetmja forcë që kemi idenë se si mund të arrijmë aty ku duhet dhe që njëkohësisht kemi eksperiencën dhe aftësinë për të arritur aty ku duhet. Përtej këtyre dy sfidave, në të gjitha drejtimet e tjera, ne jemi në gjendje të themi me plot gojën se çfarë është bërë, është përsëri një provë se ne e dimë ku duam të shkojmë dhe do të shkojmë aty ku duam, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë, zgjedhjen e parë të kujtdo, që të gjithë nesër të ndihen krenarë, jo thjesht për historinë, jo thjesht për rrënjët, por për atë që është për ta. Unë besoj që në fund të fundit, Partia Socialiste është krijuar për të bërë gjëra të vështira. Me të tjerët kanë qenë thjesht të pamundura.