Rama: Në prill vijnë nga një vend mik, 360 mijë vaksina të AstraZeneca-s

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka arritur marrëveshjen me një shtet mik për sigurimin e 360 mijë dozave të vaksinës Astra Zeneca.

Në një konferencë nga aeroporti i Rinasit, ku pritet ardhja e 7.020 vaksinave nga Pfizer, Rama u shpreh se dozat e Astrazeneca-s, mund të vijnë në muajin prill.

Rama tha se nuk mund ta konfirmojë plotësisht që vaksinat do të mbërrijnë, pasi nuk ka ende një marrëveshje zyrtare.

Edi Rama: “Sot ne kemi marrë një konfirmim me shkrim nga një shtet mik për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, që gjithmonë sipas këtij komunikimi do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill. Po e jap këtë si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe nuk kemi vulosur marrëveshjen. Sepse në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë, çdo fjalë mund të duket si propagandë. Konfirmimi është si rezultat i një dialogu shumë intensiv. Për momentin është mirë të respektojmë këto norma të reja të vendosura nga kjo situatë, ku 90% e punës bëhet me kode dhe biseda sekrete. Po e them këtë që sipas kontratës Pfizer të na lejojë ta zbatojmë marrëveshjen me shtetin tjetër. Nuk mund të aprovojmë këtë sasi, pa aprovimin e Pfizer”.