Rama: Në përfundim të mandatit të tretë do kemi 4 aeroporte

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim ditën e sotme në Vlorë, kandidatët për deputetë që do të garojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se objektivi bazë i forcës politike që drejton, është marrja e 8 mandateve, ndërsa si objektiv maksimal është 9 mandate.

Ndër të tjera, Rama tha se ambicia e tij është pas përfundimit të mandatit të tretë, vendi të ketë 4 aeroporte, në Tiranë, Kukës, Vlorë dhe Sarandë.

Edi Rama: ”Dua ta riktheksoj se objektivi ynë për Vlorën është të marrim si bazë numrin që kemi. 8 deputetë dhe të synojmë maksimizimin e forcave duke kapur maksimalin prej 9 deputetësh. Është sfidë që e kemi me veten. Kemi bërë shumë për Vlorën.

Aeroporti është një hall i zgjidhur, është garanci që ekonomia e Vlorës do të ndryshojë dhe do të shkojë në nivel tjetër. Dihet botërisht që një euro e investuar në aeroport kthehet në ekonomi ku fitohet si kontribut në shërbime dhe infrastrukturë 23 euro. Ndërkohë që impakti tejkalon Vlorën. Së shpejti do hapim garën për aeroportin e Sarandës. Ambicia është që të kemi 4 aeroporte. Ai i Kukësit është gati në pak javë.”