Rama, Meta dhe Ruçi homazhe te Varrezat e Dëshmorëve (VIDEO)

Dita e sotme shënon 76-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit. Në 76-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kanë mbajtur homazhe në varrezat e Dëshmorëve. Në homazhe ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në ceremoninë e shkurtër që u mbajt, u vu re që nuk pati përshëndetje mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.