Kryesore

Rama-Meta, a kanë rënë vërtet maskat?

               Publikuar në : 15:55 - 10/06/19 S.N

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, po shkojnë drejt një përplasje të madhe mes tyre. Sot është institucionale, nesër do jetë politike.

Pas anulimit të zgjedhjeve, Meta do të dorëhiqet vetë ose do shkarkohet nga mazhoranca në parlament. Rikthimi në krye të LSI, do ta vërë politikisht përballë Ramës. Edi Rama ka thënë dikur se çuarja e Metës në presidencë, ishte pjesë e marrëveshjes mes tyre në vitin 2013. Por zgjedhja e kreut të LSI si president me votat e PS, mbeti e habitshme.

Në vitin 2016, Ilir Meta u rreshtua hapur me Lulzim Bashën kundër reformës në drejtësi, të udhëhequr nga SHBA dhe Gjermania. Madje kërcënoi me dalje nga koalicioni, dhe zgjedhje të parakohshme. Biznesmeni Kastriot Ismailaj i dosjes CEZ-DIA, u cilësua asokohe si personi që do ta çonte në burg Ilir Metën.

Në një tjetër dosje, 978, që “fle” ende në prokurori, pretendohet se Meta ka kërkuar në vitin 2009 nga Ismailaj 200 mijë euro financime për LSI-në për zgjedhjet. Duke pasur parasysh këto dhe të tjera, Rama ka lënë të kuptohet se largimi nga presidenca, do të jetë vetëm fillimi i telasheve për Metën.

Nga ana e saj, edhe LSI ka folur disa herë së largu për përgjime apo aferra korruptive, ku është përfshirë direkt kryeministri apo familjarë të tij. Por a ka marrë fund loja me maska? A do të fundoset së shpejti njëri apo tjetri, duke marrë me vete Bashën, Berishën dhe të tjerët? Apo përplasja Rama-Meta, do të shuhet sërish pas disa javësh, me një marrëveshje të re për bashkëqeverisje? Jemi në Shqipëri dhe gjithçka mund të ndodhë…

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT