Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e opozitës së bashkuar për djegien e mandateve dhe mbajtjen e protestave duke e cilësuar atë si një “vetëshkatërrim” dhe një formë ekstreme.
Rama theksoi sërish se do të hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit me apo pa opozitën, ndërsa tha për ata që do i quanin anormale, se është zgjedhja e tyre dhe se mazhoranca nuk ka asnjë rrugë tjetër.
Më tej, kryeministri tha në foltoren e Kuvendit se PS fiton sërish me diferencë të madhe.
Fjala e Ramës:
Opozita e rrugës ka vendosur të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, duke zgjedhur forma ekstreme.
Një rrugë e vetshkatërrimit, aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, kanë marrë mbrapsht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim. Në vend që të luftojë për program dhe me ide, ka zgjedhur të luftojë me kërcënime e me kapsolla. Në vend që t’i përfaqësojë zgjedhësit e vet në këtë sallë, ka vendosur t’i nxjerrë dhe ata nga rruga e betejës demokratike. Ka vendosur ti përdorë si mish për top, duke u fshehur pas tyre. Kjo është padyshim shumë e rëndë, e padëgjuar dhe e papranueshme nga askush. Edhe ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër përveçse të vijojmë rrugën tonë pa u ndalur të merremi me ta, dmth pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht kërcënimeve, shantazheve ku dy parti përbetohen se do dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur kryetarët e bashkive.
I kuptoj ata që mendojnë se zgjedhjet pa këto parti janë anormale, po dua t’ju them të gjithëve se kjo nuk është zgjedhja jonë. Ne kemi bërë gjithçka që kemi pasur në dorë që kjo të mos ndodhë.
Është mirë ta kujtojmë se çfarë ne kemi bërë dhe askush të mos e harrojë që jemi ne që e kemi dhënë provën se mes zgjedhjeve pa dhe me opozitën, kemi parapëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht për ta bërë të mundur të dytën. Prova është në sytë e kujtdo që ka një kujtesë dy vjet, kur ishim në të njëjtën situatë, kur të njëjtët njerëz ishin futur në çadër, ndërsa aleatët tanë mes saj në pritje që të binte qeveria.
Kemi ndarë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes me ta dhe duke iu dhënë atyre ministrinë e brendshme dhe ministri të tjera. Pse, sepse edhe në Kushtetutë, BE dhe SHBA e mbyllën gjithë kapitullin e gjatë të përpjekjeve për të arritur ne një kompromis dhe deklaruan me keqardhje dhe duke e fajësuar opozitën se zgjedhjet duhet të mbaheshin dhe se ishin legjitime. Na akuzojnë për arrogancën, duke ngatërruar vendosmërinë që kemi për t’i çuar në fund reformat që kemi marrë.