Rama: “Kjo është hera e fundit që uji përmendet në fushatë elektorale”

“Kjo është hera e fundit që uji përmendet në fushata elektorale”. Ky ishte premtimi që kryeministri Edi Rama tha të mërkurën nga Vau i Dejës, duke u zotuar që brenda vitit 2022 do të gjejë zgjidhje për të gjitha qendrat urbane.

“Objektivi është i qartë ne jemi në gjendje të themi sot me plot gojën që në gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, ne do kemi 24 orë ujë brenda 2022 dhe Tirana brenda 2022 -2023 se është më komplekse. Kështu që uji është hera e fundit që është term i fushatave elektorale sepse përfundimisht do zgjidhet 24 orë ujë për të gjitha qendrat urbane. Këtu një herë në zonat që s’ka pasur 24 orë ujë as në kohën e komunizmit do zgjidhet një herë e mirë, është e sigurtë”, u shpreh kryeministri në një takim nga Vau i Dejës.

Rama thotë se në Vaun e Dejës “pas 50 vitesh me 2 orë ujë në ditë ose hiç fare gjatë verës, përfundon ujësjellësi i ri; 22.6 kilometra rrjet shpërndarës që çon 24 orë ujë në shtëpitë e kësaj zone; brenda vitit 2022 përfundojnë të gjitha projektet e investimeve për 24 orë ujë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë?”.