Rama tha qartë dhe prerë sot se nuk ka ndërmend të largohet, pasi qëllimi i tij nuk është pushteti, por lënia pas e një gjurme të mirë për Shqipërinë. Me tone të ashpra kryeministri Rama i është drejtuar opozitës, duke e paralajmëruar se nuk mund të marrin peng Shqipërinë me shashka e bomba.
“Janë boll 30 vjet që më 30 qershor mos e ndajmë më dysh historinë. Çdo shqiptar që s’do më zjarr për këtë Shqipëri. Ti japim fund kësaj marrëzie. Janë boll 30 vjet që ne të endemi dhe 30 vite të tjera pas 30 qershorit. 30 qershori duhet ti vendosë përfundimisht kufirin çdo politikani, që në emër të popullit të protestojë paqësisht sa të dojë, por popullin s’mund ta marrë peng me shashka, me bomba…”, tha Rama.
“Jetojmë në një kohë fatkeqësie mendore që ka pllakosur opinionin publik, por dhe lloj-lloj komentatorësh e montatorësh që flasin sikur në vend të gjakut kanë benzinë, e në kokë një shishe gati për të plasur në mexhelis. Kemi ardhur në një pikë kur duhet t’i dalim zot Shqipërisë që duam. Shqipëria kërcënohet nga një prapa-kthehu me pahir, nga rrumpallët që duan ta bëjnë leckë në sytë e botës së madhe.
I humbën zgjedhjet si në Harados kur thonë tironsit. Zbathën çizme e thyen vezë, u bashkuan me popullin imagjinar duke kënduar këngën e krimit, drogës, hajnave. Dash Figura, zoti Vangjeli, zoti fishekzjarri, zoti molotovi, zonja Hava… u thotë mendja këtyre derdimenëve se Shqipëria është shesh për përshesh, dhe ne socialistët jemi mish për topet e tyre.
Ramën s’e mundim dot me zgjedhje, prandaj Rama ik! Jo nesër, sot do kisha ikur unë nëse s’do e kisha mësuar historinë e këtij vendi, nëse nuk do e kisha ditur si buka që ha sa të zeza i kanë ardhur Shqipërisë nga ata.
Sot u them atyre që thonë po ia le të iki Rama që të qetësohen të marrosurit për pushtet: Jo kështu nuk qetësohen, por rifillon marria. Jo nuk iket nga kjo detyrë se kërkojnë kundërshtarët që s’kanë popull me vete. Nga kjo detyrë iket vetëm kur e kërkojnë ata që të kanë dhënë detyrën, me votën e tyre.
Unë nuk rri në këtë detyrë se më gënjen mendja se jam i pagabueshëm, as se mendoj se shtetndërtimi po shkon vaj, se rrogat janë rritur e kështu me rradhë, jo jo fare. Unë nuk iki kësaj detyre sepse në çdo drejtim kam nisur bashkë me ju një luftë që s’ka shans ta lë në mes, se nuk i gëzohem dot një arritjeje reale, një luftë ku njëherë marr frymë i lehtësuar se zgjidhëm një hall, e herën tjetër mezi marr frymë se një tjetri i kemi krijuar një hall”, u shpreh Rama.