Rama kapet sërish me fushatën e PD: Uroj që asnjë prej tyre mos të infektohet

Në një takim nga Rrogozhina, ku po zhvillon një bashkëbisedim me fermerë, kreu i qeverisë e cilësoi fushatën e PD-së një sjellje të papërgjegjshme, duke thënë se opozita është antishteti.

Fjala e Ramës:

“Me vjen shumë mirë që është organizuar ky takim. Ata që quhen analistë dhe dërdëllisin pa pushim, duke dhënë mend pa i thënë punës mirëmëngjes. Jeni ju baza e një transformimi që është i pamohueshëm në sektorin e bujqësisë që ka 2 fakte, që tregojnë se ne jemi në drejtimin e duhur. E para; në këto 7 vite e pak që jemi në krye të detyrës kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës ku punohet. Sot jemi në 250 mijë. Ka ende sipërfaqe për t’u mbuluar me punë, ku ne duhet të arrijmë të çojmë kanalet kulluese dhe ujitëse. Më e madhja është bërë. Pjesa më e tmerrshme e një llumi që kishte mbuluar kanalet e bujqësisë, është lënë pas. Shifra e dytë është shifra e prodhimit. Deri para 7 vitesh e kusur Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1. Sot Shqipëria importon vetëm 3 dhe eksporton 1. Që do të thotë se rënia e importit të prodhimeve bujqësore lidhet me rritjen e prodhimit në vend. Ne i kemi çuar eksportet e bujqësisë nga 1 mln në 400 mln. Me planet tona do i çojmë në mbi 100 mld. Kjo do të thotë; më shumë të ardhura për ju. Ju e dini se shteti ka qenë në krahun tuaj. Qoftë me skemat kombëtare, qoftë me mbështetjen nga fondet. Kur morën detyrën Shqipëria ishte e fundit në Ballkan për thithjen e fondeve të BE për vendin. Ata që sot duan të kthehen prapë, nuk arrinin dot që të bënin një projekt për të marrë ato fonde. Sot Shqipëria është e para për thithjen e fondeve nga BE. Kemi krijuar një agjenci europiane, atje me një mike tonën, që ka bërë skuadër fantastike për të ndihmuar fermerët. Ne duam të çojmë përpara punët e nisura, por na kanë dalë këtë xhakajdurët, si një shportë, mbledhur si para shkollave. Duke krijuar një tabor krushqish dhe duke e sorollatur nëpër Shqipëri. Ajo që po bën Basha bashkë me ata që organizojnë ato dasma pa nuse, është e turpshme, një rrumpallë kriminale, pasi ato janë vatra infektimi. Ne kemi ngritur në të gjithë Shqipërinë vatra vaksinimi. Jemi një nga vendet e rajonit që kemi ngritur vaksinimin masiv. Do të dalin në mes të vendeve lartë në Europë për vaksinimin. Ata s’duan që t’ja dinë as për njerëzit e tyre. Janë aty me gishta, me flamuj, me ulërima. Ku kanë gjetur shesh bëjnë përshesh. Dy-tre javë do virusi që të zhvillohet dhe të kapi fytin. Unë uroj që asnjë prej tyre mos të përfundojë në spital e jo më të ndërroj jetë. Por ashtu siç veprohet, është e qartë për çdo shqiptar që ka dy mend në kokë, mesazhi është që ata janë antishteti. Janë rrumpalla, paaftësia dhe dëmi që i rri në kokë këtij vendi. Nuk kanë bërë një punë të hajrit. Sa herë e kanë marrë detyrën. Ndërkohë qëne kemi ardhur sot këtë me një skuadër me të re.”