Politikë

Rama “godet” Metën nga Praga me mesazhet e ministrave të tij: Katrahurë!

               Publikuar në : 16:30 - 12/09/19 Enno

Mazhoranca socialiste ka votuar në seancën e sotme parlamentare, kundër të gjitha dekreteve të presidentit Meta.

Ndërkohë, gjatë seancës maratonë që zgjati rreth 5 orë, ministrat kanë sqaruar arsyet pse sipas tyre, vendimi i Kreut të Shtetit për t’i kthyer ato ligje është i gabuar.

Nga ana tjetër, edhe pse nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, kryeministri Edi Rama, duke shpërndarë mesazhet e Taulant Ballës dhe Spiropalit, bën edhe sqarimet e tij në lidhje me këtë çështje.

Përmes postimeve në Facebook, Rama shprehet se Meta i ka refuzuar ligjet thjesht dhe vetëm sepse janë të mazhorancës, dhe se katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij.

Kujtojmë që kryeministri Edi Rama, ndodhet në Pragë ku po merr pjesë në Samitin e Vishegradit.

Një pjesë e mesazheve të dhëna sot nga ministrat e PS-së dhe të shpërndara nga Rama:

“Koha rekord me të cilën Ilir Meta shqyrtoi, analizoi dhe vendosi për t’i kthyer ligjet në Kuvend flet për qëllimin e vërtetë të Ilir Metës. Katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij të luftës dhe që ngushëllimin e gjejnë tek Presidenca”, tha Spiropali.

“Ligji për partneritetin publik privat. Ndryshimet e miratuara në ligj janë të konsultuara me FMN, Bankën Botërore dhe SIGMA. Ato e përafrojnë ligjin me standardin ndërkombëtar, heqin në sektorin e transportit rrugor mundësinë e ofertës së pakërkuar dhe përmirësojnë rolin e Ministrisë së Financave”, theksoi Ahmetaj.

“Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Ky ligj siguron zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Projektligji i miratuar në korrik të këtij viti solli ndryshime cilësore dhe përmirësime te ligjit ekzistues për zhvillimin e territorit”, u shpreh Gjylameti.

“Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Nuk çuditem nga kthimi i këtij ligji, pasi Ilir Meta ka kthyer 9 ligje në Kuvend. Presidenti e refuzon ligjin, thjesht e vetëm sepse ky ligj vjen nga kjo mazhorancë”, deklaroi Xhaçka.

“Ligji për Qeverisjen Vendore dhe kthimi i pakuptimtë që i bëri Ilir Meta”, tha Fino.

Gjithashtu, Rama komenton edhe vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kandidaturën e Ilir Metës për në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Lidhur me këtë, Rama shpërndan fjalën e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha nga foltorja e Kuvendit se duhet zgjidhur ngërçi i krijuar për shkak të propozimit të kandidaturave të papërshtatshme nga Meta për në krye të KLSH.

“Dekreti për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Votojmë kundër kandidaturën e propozuar nga Ilir Meta, me arsye tërësisht të qëndrueshme. Dua të theksoj domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij ngërçi të krijuar për shkak të propozimit të kandidaturave të papërshtatshme, nga ana e Ilir Metës. Kam dakordësinë edhe të grupeve të tjera për nevojën e diskutimit më të thellë për këtë çështje”, tha Balla. (Pjesë e fjalës së tij e shpërndarë nga Rama).

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT