Rama fton 50 mjekë nga Kosova për të bërë dy dozat e vaksinave në Shqipëri

Kompania Pfizer do të sjellë mbrëmjen e sotme 1,170 doza të vaksinës anti-covid në vendin tonë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama nga Rinasi në një komunikim për mediat, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastilriu, dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Ai u shpreh se kompania Pfizer nuk lejon dhurimin e vaksinave, ndaj edhe Shqipëria nuk mund t’i japë Kosovës, por mjekët kosovarë mund të vijnë të vaksinohen në Shqipëri.

Edi Rama: “Me vaksinën jashtë kamerave e jashtë syve të publikut, jashtë pasqyrave të komunikimeve të qeverive, është sagë më vete. Është një luftë tregtare politike e jashtëzakonshme. Mua më vjen shumë mirë që ne ja kemi dalë të mos mbetemi në rrethin vicioz ku janë shumë të tjerë.

Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash.

Nuk e bëjnë të pamundur që ne të bëjmë vaksinimin e mjekëve të spitaleve COVID të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë për të komunikuar me homologun. Ne jemi të gatshëm të presim 50 bluza të bardha nga Prishtina për të dyja dozat”.