Teksa ndodhet në Bruksel, kryeministri Rama ka folur para mediave, duke komentuar takimet si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. Ai thotë se konferenca e donatorëve do të jetë një ditë e madhe për vendin tonë. Para fillimit të takimit të sotëm informal në Bruksel, Rama tha se do të diskutohet për metodologjinë e re të zgjerimit të BE, për të cilën ai shpreson se do të jetë një platformë mirëkuptimi mes vendeve anëtare.
“Të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është një lloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë. Por, në të njëjtën kohë i jemi shumë mirënjohës Presidentit të Këshillit të ri Evropian dhe të gjithëve këtu, që po bëjnë shumë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit.
Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të shohim e të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj që do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare.
Po kështu, për ne, Shqipërinë, nesër është dita e madhe, sepse kemi konferencën e donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit, dhe po shpresoj shumë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet e mbështetje për të ecur përpara me rindërtimin”, u shpreh Rama.