E diel, 17 Tetor, 2021
15.5 C
Tirana

Rama është në të drejtën e tij, ne në tonën

Nga: Klementin Mile

Miratimi nga parlamenti i ndryshimeve në kodin elektoral, duke i ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe duke vendosur lista më shumë të mbyllura se të hapura, shprehu qartazi vullnetin e qeverisë Rama, por, nisur nga deklaratat, jo atë të opozitës së bashkuar jashtëparlamentare.

E megjithatë Rama është në të drejtën e tij për t’i realizuar ato ndryshime ashtu si i dëshiron. Të drejtë që ia njohu edhe ambasada amerikane teksa u shpreh që ky miratim ishte brenda kompetencave të parlamentit, ku Rama arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.

Aludimet që votat mbështetëse prej opozitës parlamentare mund të jenë “blerë” dhe se këta deputetë mund të jenë “shitur” nuk vlejnë juridikisht. Ato, megjithatë, mund të kenë vlerë politike.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjet e prishura nga qeveria. Prishja e marrëveshjes me opozitën e bashkuar jashtëparlamentare, e marrëveshjes me opozitën parlamentare, dhe me ndërkombëtarët, mund të ketë vetëm vlerë politike.

I mbetet elektoratit, pra, të gjykojë veprimet e Ramës. I mbetet elektoratit të gjykojë nëse duhet vepruar tani, nëse duhet të ngrihet në protestë, pasi rregullat e lojës janë prishur dhe duhen rivendosur menjëherë; ose, nëse gjykon se rregullat e lojës megjithatë e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve, të presë deri në 25 prill për t’i mbështetur ose për t’i ndëshkuar veprimet e qeverisë me kodin elektoral.

Fakti që ndryshimet e kodit elektoral u bënë në mënyrë të njëanshme thotë vetëm që nuk u arrit konsensus ndërmjet palëve politike kryesore. Në regjimet demokratike liberale, sikurse mëton të jetë ky i yni, natyrisht që është e preferueshme që vendimet të merren nga shumica duke respektuar të drejtat e pakicës. Kur kjo nuk ndodh, kur shumica e shkel frymën e kushtetutës, pasojat për të mund të jenë politike – ajo mund të ndëshkohet me votë për aktet antikushtetuese.

Lexo edhe :   Parlamenti si arenë beteje me fantazmën e Berishës

Në analizë të fundit, zgjedhjet nuk mund të garantohen as nga qeveria, as nga opozita, as nga ndërkombëtarët. Vendimarrja më e lartë në demokraci i takon popullit, i cili bëhet bëhet i dukshëm dhe konkret përpara zgjedhjeve si opinion publik.

Vetëm opinioni publik, pra, mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai është “Zoti” në demokraci, të cilit i përulen të gjitha forcat politike.

Lexo edhe :   Përballë murit 800-mijësh të Ramës…

Nëse opinioni publik në vendin tonë është i tillë që nuk i jep rëndësi manovrimeve të pandershme me kodin elektoral, por ka interes shumë më të madh për çështje të tjera, për shembull të natyrës ekonomike, atëherë Rama jo vetëm është në të drejtën e tij për t’i bërë këto manovrime me kodin, por edhe mund të shpërblehet prej tyre.

Veçse opinioni publik edhe mund ta ndëshkojë Ramën. Kjo do të ndodhë nëse ka ndjeshmëri për çështjet kushtetuese, nëse mendohet jo vetëm për sot po edhe për nesër, e jo vetëm për veten po edhe për të tjerët. Shkurt, kjo do të ndodhë po të jetë krijuar në vendin tonë qytetari demokratik. /Gazeta Liberale

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mbështetësve të Lulzim Bashës tani po u del “droga”

Nga: Alfred Peza Lehtësia e papërballueshme me të cilën Lulzim Basha u artikuloi vendimin për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, pas...

Itali/Vodhi brioshët, të nesërmen i paguan. Pronari i lokalit i ofron një punë

Ai vjedh brioshët në lokal, pastaj të nesërmen kërkon falje dhe paguan. Një histori dëshpërimi, por edhe mbi të gjitha dinjiteti dhe solidariteti që...

Kolumbia sterilizon hipopotamët e “Mbretit të kokainës”

Një grup hipopotamësh - një trashëgimi e padëshiruar pas vdekjes së mbretit famëkeq të drogës kolumbiane Pablo Escobar - po sterilizohen. Escobar, i cili u...

Rusia në gjendje emergjence nga infektimet, një mijë të vdekur në një ditë

Rusia të shtunën regjistroi 1.000 vdekje në një ditë të vetme për herë të parë, që kur filloi pandemia. 222.000 vdekjeve nga Covid është...

Misioni Lucy i NASA-s do të kërkojë ‘fosilet’ e Sistemit Diellor

Një anije kozmike është nisur nga Kepi Canaveral me një mision për të zbuluar "fosilet" e Sistemit Diellor. Sonda Lucy do të shkojë në...