Kryeministri Edi Rama refuzoi kërkesën e opozitës për interpelancë për rastin e Alvin Berishës, duke ia deleguar përgjegjësinë Elisa Spiropalit.
Lidhur me këtë veprim, deputeti Andi Përmeti iu drejtua kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, duke e akuzuar se ka shkelur rregulloren me ndryshimin që është bërë.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, Përmeti i ka kërkuar llogari Ruçit për mosparaqitjen në Kuvend të ministrit të Jashtëm. Sipas tij, duhet ta kishte detyruar ministrin në fjalë të paraqitej. Ndërsa i tha se në këto 6 muaj ka krijuar përshtypjen e një njeriu korrekt, dhe jo nga ata që kap kryeministri Edi Rama “për hundësh”.
“Dua ta nis me një kërkesë ndaj jush këtë interpelancë. Mesa kuptova unë dhe mesa më njoftuan organet e Kuvendit, ministri i Jashtëm nuk ka ardhur dhe ministri përgjegjës që do përgjigjet është zonja Spiropali. Tani zoti kryetar i Kuvendit, mua më vjen keq që ju shkelni kaq hapur rregulloren dhe unë jam mësuar sot në mëngjes për këtë ndryshim.
Ju në shkelje të rregullores i keni caktuar përgjegjësinë një ministri tjetër që ndoshta nuk do dijë si të përgjigjet dhe me të drejtë mund të mos dijë si të përgjigjet. Mua më vjen keq se në në 6 muaj këtu përshtypja për ju është e një personi që është shumë korrekt. Nuk jeni ju nga ata që tërheq Rama prej hundësh këtu, kështu që në ndërgjegjen tuaj ishte puna juaj që ju sot të kishit detyruar ministrin e Jashtëm të vinte këtu”, tha Përmeti.
Nga ana tjetër, Ruçi iu përgjigj duke thënë i se nuk ka shkelur rregulloren, pasi Kuvendi e ka njoftuar ministrin e Jashtëm për interpelancën.