Data 30 Qershor pritej të shoqërohej me tensione, nisur dhe nga paralajmërimet e vazhdueshme të opozitës për bojkotim zgjedhjesh. Por, kjo gjë nuk ndodhi. Përkundrazi dita e djeshme e zgjedhjeve vendore është shoqëruar nga një atmosferë e qetë. Ku në pamje të parë dukej si një gjendje normale. Por, që pas komunizmit, zgjedhjet e të dielës kanë qenë më të pazakontat. Në pjesën më të madhe të Bashkive, socialistët garonin të vetëm. Po ashtu për herë të parë ndër vite, numri i votuesve ishte shumë i ulët. Sipas KQZ-së, numri i votuesve në të gjithë Shqipërinë ishte 21.6%.
Mungesa e zgjedhjes apo frika nga trazirat, çfarë bëri që shqiptarët të bojkotonin gati masivisht zgjedhjet? Një ditë më pas, disa nga qytetarët mospjesëmarrjen e lidhin me druajtjen për aksione të dhunshme nga protestuesit. Ndërkohë për disa të tjerë, numri i madh i atyre që nuk votuan është shenjë pozitive, për të sjellë ndryshime.
“Po ashtu nuk pati trazira dhe kjo sigurisht që është një fitore për ta. Për mua është negative që nuk shkuan shumë njerëz të votojnë. Edhe pse është si thikë me dy presa, por më tepër besoj se ka ardhur nga frika për rrëmuja.”
“Populli ka fituar dhe kjo ka të bëjë me mospjesëmarrjen e tyre në votime. Dhe kjo është gjë pozitive. Se kështu tregohet që ka nevojë për të bërë gjëra ndryshe dhe duhet reagim.”
Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit kryeministri Rama e quajti një fitore për Shqipërinë Europiane. Ndërsa kreu i PD-së Basha e cilësoi 30 Qershorin një fitore për ta, sepse shqiptarët “braktisën masivisht votimet e paligjshme moniste”. Por, vetë qytetarët a fituan ditën e djeshme?
“Populli fitoi edhe shumë madje, fitoi qetësinë. Ne sot jemi më të qetë sesa dje apo më parë, kur ishim në luftë njëri me tjetrin. Mendoj që nuk janë sheshuar me një ditë, por jemi në një rrugë të drejtë.”
“Pjesërisht fitoi populli, një pjesë mund të ketë mbetur dhe në hije se nuk iu plotësua dëshira. Por, asnjëherë nuk është realizuar qëllimi për popullin.”
“Populli fitoi qetësinë, sepse ishte një zhurmë e madhe që nuk durohej. Dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të fillojë prapë zhurma nga opozita. Sepse populli është ngopur me këto gjëra.”
Ndërkohë, disa prej qytetarëve thonë për Tirana Today se nga dita e djeshme kanë humbur të gjithë. As partitë politike nuk kanë çfarë të festojnë, por as qytetarët.
“Po ça populli, nuk është pyetur ndonjëherë populli nga këta që janë në pushtet. Ne ende nuk dimë asgjë se çfarë po bëhet. Ne jemi një popull si puna e kopesë, që jemi duke ecur pa një bari.”
“Gjysma e popullit votoi dhe gjysma jo, sesi mund të jenë të kënaqur ata politikanë, veç ata e kuptojnë. Në rast se nuk voton një popull i tërë, nuk ka si të jesh i kënaqur. Ndaj mendoj që asnjëra palë nuk ka fituar. Iku ajo kohë kur ishim me bindje politike, jo PD, PS, a LSI. Për ne rëndësi ka kush bën punën, kaq pak mjafton.”
“Ça të fitojë populli, nuk ka çfarë të fitojë. Zgjedhje u bënë, por nuk u bënë tamam. Shkojnë të votojnë vetëm 20 a 25% e njerëzve. Por, këto nuk janë fitore as për ne dhe as për ata.”/ TIRANA TODAY