Babë e bir janë arrestuar nga policia, pas një telefonate të bërë nga një qytetar në Polici. Ky i fundit i shqetësuar ka njoftuar se ata po lëviznin në Reps me armë zjarri me vete.
Menjëherë policia është vënë në aksion, teksa ka vënë në pranga I.Sh. 50 vjeç dhe djalin e tij 16-vjeçar, të dy banues në Mirditë.
Njoftimi i plotë:
Policia informohet nga qytetarët, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, sekuestrohen armë zjarri
Një qytetar denoncoi përmes një telefonate në orët e para të mëngjesit tek nr. 112, se 2 shtetas po lëviznin me armë zjarri në Reps.
Forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, u organizuan dhe në adresën e denoncuar nga qytetari, kapen në flagrancë shtetasit I.Sh. 50 vjeç dhe djalin e tij 16-vjeçar, banues në Mirditë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 armë zjarri automatik, fishekë si dhe 1 armë gjahu me fishekë.
Ata u arrestuan për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjahut dhe sportive, kryer në bashkëpunim” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.