Prej 16 shkurtit opozita shqiptare ka nisur një aksion për të larguar kryeministrin Rama, që nga dorëzimi i mandateve nga deputetët, e deri tek revoltat e qytetarëve në protestat e vazhdueshme. Të shtunën e 13 prillit, pritet të zhvillohet një protestë kombëtare. Njëkohësisht edhe e 9-ta herë që ish-deputetët dhe qytetarët protestojnë para institucioneve publike. Duke paralajmëruar kështu një ngritje më të madhe të protestuesve.
Por, në një kohë kur opozita vazhdon të planifikojë skenarë të ndryshëm për të mbarëvajtur protestat; në anën tjetër socialistët kanë nisur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Nga qytete të ndryshme kryeministri Rama përsërit të njëjtat batuta ironike ndaj opozitës. Por, ky destabilitet politik duket se vetëm ka lodhur njerëzit. Të cilët kërkojnë ndalimin e protestave.
“Ka pasur ndonjëherë drejtësi në Shqipëri që të ketë tani?! Opozita e ka treguar veten e saj se kush është dhe nuk duhet të bëjë më protesta. Nuk ia vlen, duhet një opozitë tjetër e re që të sjellë ndryshime. Ose më saktë, të vijë një njeri që të ndryshojë Shqipërinë.”
“Kjo është një opozitë e papërgjegjshme fare, sepse ndryshe nuk i linte mandatet. Dhe shkon e kërkon të luftojë tani në rrugë. Kushdo e di që të gjitha gjërat zgjidhen e vendosen atje, në Parlament. Edhe socialistët kanë pasur ankesa atëherë kur ishin në opozitë, por rrinin në Parlament. Pse Saliu nuk ka vjedhur? Po ka qenë Saliu ai që solli frymën e të vjedhurës, ai i mësoi të gjithë.”
Disa prej qytetarëve thonë se opozita nuk është në kushte për të kërkuar drejtësi dhe ndryshime politike, pasi sipas tyre ajo duhet në radhë të parë të mbajë përgjegjësi për ngjarje të rënda që kanë ndodhur kur ishte në qeveri.
“Këta të opozitës t’i vënë gishtin kokës për atë që bënë në Gërdec, në 21 Janar dhe gjithë gjërat e tjera që i kanë bërë kombit tonë. Të hapin sytë të shohin punën, sepse edhe atë bojkotin që i bënë Parlamentit e kanë shumë gabim.”
“Qëndrimi i opozitës është një qëndrim normal. Qeveria e sotme duhet ta vendosë pozitën e djeshme para drejtësisë. Sepse ajo e ka prokurorin, gjyqtarin, i ka të gjitha.”
Një pjesë e tyre shprehen për Tirana Today se nuk kanë besim te asnjëra palë dhe se janë në pritje të të tretëve për të bërë ndryshim në vend, ndërkohë që populli është lënë në mëshirë të fatit.
“Thotë një fjalë popullore që ka gjetur tenxherja kapakun dhe kapaku tenxheren. Të dyja palët janë njësoj. Këto mbulojnë njëra-tjetrën dhe kjo situatë asnjëherë nuk do të zgjidhet, nëse nuk ndërhyjnë siç duhet ndërkombëtarët. Populli i shkretë ka mbaruar.”/ TIRANA TODAY