Mbi 200 të rinj shqiptarë dhe maqedonas janë hedhur në lumin Drini i Zi në Strugë, duke shënuar fillimin e manifestimit dy ditor të quajtur “Festivali i jonë”.
Ky festival është pjesë i projektit “Dekada e përkatësisë, festimi i dallimeve”, kurse qëllimi i tij është përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike në këtë pjesë të Maqedonisë.
Ndarja etnike, shpjegojnë disa prej fëmijëve, mund të shihet edhe nëpër plazhe.
“Ne maqedonasit dhe shqiptarët jemi ndarë shumë. Unë merrem me basketboll dhe gjatë stërvitjeve kam mundur të shoqërohem me shokët tanë shqiptarë. Që tani, unë dhe shoqet e mia shqiptare, shkojmë bashkë në plazh. Ky organizim është i mirë, pasi na bashkon dhe na bën një. Ne shkonim në plazhin e femrave, ndërsa shqiptarët në plazhin e meshkujve, dhe në këtë mënyrë ndaheshim”, u shpreh një nxënëse për Alsat.
Gjatë manifestimit do të realizohen aktivitete nga më të ndryshmet, duke filluar nga përpunimi i mozaikut, punime dore, muzikë, formimi i një kori të përzier rajonal, publikimi i revistës për të rinj dhe të tjera.