Edhe pse është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në botë, Italia tashmë po sheh mundësinë për lehtësime të tjera të masave kufizuese.
Vendi fqinj kaloi në fazën e dytë të rihapjes më 4 maj, duke rihapur shumë industri dhe miliona italianë iu rikthyen punës.
Ndërsa këtë të hënë, Italia do të ndërmarrë një tjetër hap duke hapur biznese të tjera si pakukeritë, berberët, palestrat, plazhet dhe pjesën tjetër të dyqaneve që kishin mbetur të mbyllura.
Por pavarësisht kësaj, gjithçka duhet të jetë sipas protokolleve të shëndetësisë botërore, duke ruajtur distancën dhe duke vënë maska kudo që shkojnë.
Mediat italiane raportojnë se nga 18 maji, qytetarët italiane do të jenë të lirë të lëvizin brenda rajonit të tyre.
Ndërsa pas datës 3 qershor, italianët do të kenë mundësi që të lëvizin edhe jashtë rajonit të tyre. Çdo person që do të dalë jashtë rajonit do t’i matet temperatura.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Giuseppe Conte, i cili zhvilloi një takim me krerët e rajoneve dhe ranë dakord që autoritetet lokale të lehtësojnë masat e izolimit.
Kujtojmë se deri më tani, Italia shënon mbi 223 mijë raste infektimi me koronavirus dhe 31,610 viktima.