Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se do të vinte koha kur ai do të emëronte pasardhësin e tij të mundshëm në Kremlin, por u shpreh se kandidati do të duhet të marrë mbështetjen e popullit me votë.
Lideri rus ishte duke folur gjatë sesionit të tij vjetor të pyetjeve dhe përgjigjeve në TV shtetëror që Kremlini përdor për mesazhe politike dhe për të treguar se është në kontakt me shqetësimet e përditshme të rusëve, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.
“Do të vijë një kohë kur, shpresoj, mund të them se një person i tillë është i denjë për mendimin tim të drejtojë një vend kaq të mrekullueshëm si Rusia, atdheu ynë,” tha Putin.
Pak muaj më parë ai firmosi ligjin që heq kufizimin e dy mandateve të presidentit, duke i lejuar teorikisht mundësinë që të mbajë pushtetin në Kremlin deri në vitin 2036.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi do të zhvillohen në vitin 2024, por në kushtet që lëvizjet e mëdha opozitare si ajo e Alexei Navalny janë shpallur “organizata terroriste”, kandidimi i figurave që realisht kanë profil publik për të sfiduar Putin është bërë i jashtëligjshëm.