Dy tursitë austriakë janë grabitur me dhunë mëngjesin e sotëm. Çifti i turistëve, përkatësisht 61 vjeç dhe 54 vjeç kanë qenë duke pushuar në anë të rrugës automobilistike të fshatit Fierzë në Fushë Arrëz, kur janë gjendur nën presionin dhe dhunën e dy grabitësve.
Këta të fundit përmes kërcënimeve dhe dhunës së ushtruar mbi turistë , iu kanë grabitur atyre një shumë prej 700 Euro dhe një telefon celular. Ndërkaq policia ka ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe ndalimin e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.08.2017, jemi njoftuar nga salla operative e Komisariatit Policisë Tropojë, se në orën 08:30 të datës 19.08.2017, janë paraqitur dy shtetas të huaj E. T, 54 vjeçe dhe bashkëshorti K. T, 61 vjeç, banues në Vjenë, Austri, për të bërë kallëzim.
Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se në fshatin Fierzë, Njësia Administrative Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz, me datë 18.08.2017, rreth orës 23:30, këta shtetas kanë qenë duke pushuar në anë të rrugës automobilistike kur dy shtetas të paidentifikuar u kanë marrë me dhunë një sasi parash prej 700 Euro dhe një telefon celular. Menjëherë janë nisur forcat e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe grupi hetimor i Komisariatit të Policisë Pukë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika të shumta kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje. Po punohet intensivisht për zbardhjen e ngjarjes.