Një kompani kineze ka publikuar rezultatet e një vaksine eksperimentale që ata kishin provuar, kundër koronavirusit.
Wei Chen, nga Instituti i Bioteknologjisë në Pekin, Kinë tha se testimi tregoi se një dozë e vetme e kësaj vaksine prodhon antitrupa specifikë kundër virusit në 14 ditë.
“Këto rezultate paraqesin një moment historik të rëndësishëm. Testimi tregon se një dozë e vetme e vaksinës së re COVID-19 prodhon antitrupa specifikë kundër virusit në 14 ditë, duke e bërë atë një kandidat të mundshëm për hulumtime të mëtejshme”, tha ai, raporton Business Insider.
“Megjithatë, këto rezultate duhet të interpretohen me kujdes. Sfidat në zhvillimin e një vaksine COVD-19 janë të pashembullt. Ky rezultat tregon një vizion premtues për zhvillimin e vaksinave COVID-19, por ne jemi akoma në një rrugë të gjatë deri te vënia në dispozicion e kësaj vaksine për të gjithë botën”, shtoi ai.
Që prej shpërthimit të pandemisë, grupe shkencëtarësh nga e gjithë bota janë mbledhur për të punuar në gjetjen e vaksine për virusin e ri.
Deri më tani, koronavirusi ka prekur më shumë se 5,2 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka marrë jetën rreth 338 mijë personave.