Nga: Totila Kotorri
Në filozofi, këndvështrimi është një qëndrim ose një mënyrë specifike nëpërmjet së cilës një individ apo grupim mendon për diçka. Ky përkufizim filozofik qenka brumosur kështu prej shekujsh. Në këtë kuptim, përdorimi i termit këndvështrim është sinonim i një prej kuptimeve të termit perspektive. Koncepti i “pikëpamjes” është multifunksional dhe i paqartë. Shumë gjëra mund të gjykohen nga disa këndvështrime vetjake që ndahen njëri nga tjetri në bazë të rrethanave specifike.
Por perceptimi që ne kemi për një ngjarje, ndodhi apo objekt, situatë, veprim, individ etj., nuk varet vetëm nga pikëpamja/ këndvështrimi pra nga këndi i vëzhgimit, pozita më saktë, e vëzhguesit/këqyrësit apo analizuesit por edhe nga element të tjerë si për shembull fokusi dhe sfondi.
Psikologu klinik Jordan B. Peterson në një nga kapitujt e librit të tij ’12 rregulla për jetën’ ndër të tjera sjell në vëmendje një eksperiment të vjetër psikologjik në spektrin e fokusimit të vëmendjes. Eksperimenti ishte shumë i thjeshtë, i eksperimentuari kishte përpara një skenë dhe në sfond shfaqej një ari, të cilin pjesa dërrmuese e të eksperimentuarve nuk e pikasën fare sepse ishin tejmase të përqëndruar tek fokusi i gjësë duke harruar kështu sfondin dhe duke anashkaluar se ç’bëhet në plan të gjerë.
Pra, jo vetëm nga cila pozitë nisemi në analizën e një ngjarjeje por dhe nëse fokusohemi në një pikë të planit apo në të gjithë planin apo spektrin determinojnë nëse analiza është e saktë apo jo.
Konkretisht, shumëkush ka marrë përsipër të bëjë zërin e tij të dëgjohet me një mendim apo analizë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Kryesisht analistë dhe zëra anti-Basha në PD dhe kryesisht është shkruar apo folur mbi “paaftësinë e liderit demokrat për të mbrojtur votat ose për të garantuar që zgjedhjet nuk do të vidheshin/manipuloheshin.”
Shumë bukur deri këtu, secili ka të drejtën e analizës dhe verdiktit por njëkohësisht secili ekspozon këndin e tij të vështrimit dhe ku është fokusuar. Pra vektori pozitë nga ku analizon-pika ku e dërgon vrojtimin.
Në grup i vihet faji opozitës pse humbi zgjedhjet paradoksalisht nga njerëz që besojnë që zgjedhjet u manipuluan/ blenë / vodhën. Fjali të tipit : “Rama fitoi me manipulime por Basha duhet të largohet” apo “Faji i Bashës është që nuk mbrojti votat” janë të gabuara dhe të fokusuara ngushtë, në kuptimin e dritëshkurtësisë. Pse? Sepse spektri është më i hapur: në fushë nuk kemi vetëm dhunuesin dhe viktimën e paaftë për t’u mbrojtur por kemi dhe KQZ-në, dhe opinionin publik dhe vëzhguesit dhe ambasadat dhe më e rëndësishmja policinë dhe drejtësinë.
Kush e ka fajin pse Basha nuk ndaloi dot manipulimin hipotetik të zgjedhjeve?
Sqarojmë dhe njëherë ‘hipotetik’ sepse merren për bazë vetëm analizat apo opinionet që pranojnë që zgjedhjet u manipuluan.
Së pari fajin nuk e ka pala tjetër, ajo që i fitoi zgjedhjet se dhe në rastin kur i ka manipuluar, në një shoqëri sekulare, përgjegjësia për mos ndalimin apo dënimin e një vepre malinje është e organeve ligjzbatuese më tepër se sa e vetë keqbërësit. P.sh. nëse dikush vjedh diçka nuk mund t’i kërkosh atij pse vjedh sepse gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë keqbërës por mund dhe duhet t’i kërkosh llogari institucioneve ligjzbatuese sepse kështu funksionon një shoqëri. Fundja i keqi të keqen do të bëjë dhe gjithmonë do të ketë të këqinj, madje nga ky presupozim i saktë ka lindur nevoja për polici, gjykata e prokurori. Sigurisht fajtori ka fajin por si palë e tretë e distancuar e drejta na lind t’i kërkojmë llogari atyre që i kemi krijuar pikërisht për këtë punë dhe i mbajmë me taksat tona.
Fajin nuk e ka as subjekti politik që i humb zgjedhjet, në rast manipulimi (përsërisim: siç pretendon grupi i sulmit që thotë që fajin e ka Basha që i’a vodhën) sepse detyra e një partie politike kur sheh se po blihet, vidhet apo tjetërsohet vota është vetëm faktimi dhe denoncimi i gjësë në media dhe në polici/ prokurori siç na e thanë shumë konstitucionalistë në rastin e fundit të SMV-ve (strukturave të mbrojtjes së votës). Pra nuk e paskësh për detyrë PD-ja ndalimin fizik të kësaj ‘masakre elektorale’ siç e quajnë ata dhe siç e pranojnë dhe këta analistët apo grupimi anti-Basha.
A e ka përmbushur misionin PD-ja me monitorimin dhe faktimin e manipulimit të votave duke i dërguar denoncimet në SPAK? Sigurisht që po, mbi 90 dosje të krimit elektoral ka dërguar vetëm Enkelejd Alibeaj në SPAK lidhur me verimtarinë në Qarkun e Fierit. Le pastaj për dosjen e Gazmend Bardhit, drejtuesit politik të fushatës së PD-së në Qarkun e Elbasanit që e kishte sot datën për t’u paraqitur në Prokurorinnë e Elbasanit për një dosje-denoncim që pas zgjedhjeve nuk i hyn në punë as djallit as të birit dhe në rast se do të ishte shqyrtuar në kohë do të kishte shpëtuar një jetë.
Pra pyetja e thjeshtë është: A i la gjë mangut PD-ja përballimit në kushtet e ligjores ‘masakrës elektorale’? Jo, dhe jo vetëm kaq por e tejkaloi biles me SMV-të ndoshta duke humbur dhe pikë në opinionin publik. Ishin po të njëjtët analistë dhe figura publike që denoncuan krijimin e ‘strukturave paralele’ siç u quajtën SMV-të, si tejkalim i kompetencave të një partie politike, po të njëjtët që tani e akuzojnë Bashën si të paaftë për të njëjtën gjë.
Nëse PD dhe Basha janë fokusi i gabuar i sulmit, cili është fokusi i vërtetë dhe aktori real që ka përgjegjësinë?
Po flasim për policinë dhe prokurorinë. Sigurisht që votën e qytetarit e mbron fizikisht vetëm policia dhe në situatën ku gjendet tani Shqipëria, 5 ditë pas votimit atë mund ta mbrojë vetëm drejtësia.
Pra e gjithë vëmendja e opinionit publik, opozitarëve dhe analistëve duhet të shkojë tek drejtësia dhe jo tek Basha. Duhet vënë përpara përgjegjësisë ai që e ka për detyrë të përgjigjet në këtë rast. Duhet investuar si shoqëri tek anatemimi i drejtësisë dhe jo i viktimës, nga të gjithë.
Nëse ka një shënjestër për t’u sulmuar nga të gjithë ajo është drejtësia.
Në fushë ka dy ekipe dhe një arbitër. Nëse ekipi A shënon një gol me dorë, nuk quhet i paaftë ekipi B por arbitri dhe presioni dhe sulmi i duhet bërë gjyqtarit që e lejoi dhe nuk e ndëshkon autorin e golit.
Tani e ka fjalën VAR-i.
Duhet hequr njëherë e mire kultura sulmit ndaj viktimës se pse u bë viktimë në shoqërinë shqiptare.