Ligji dhe rendi, e mbajnë një shoqëri të sigurt dhe nën kontroll. Në pjesën më të madhe të rasteve, të gjithë biem dakord me këtë gjë. Por çfarë ndodh me psikologjinë e tyre që kënaqen duke iu bindur rregullave, dhe të tjerëve që i shmangin ato? Bindja dhe respektimi i rregullave, duket se është natyra jonë e dytë për shumicën prej nesh.
Ne e jetojmë gjithë jetën tonë brenda kufijve, që përcaktojnë rregullat e vendosura nga prindërit, shkollat, vendet ky punojmë apo shteti ku jetojmë. Kjo nuk është diçka e keqe. Po pse ndodh kjo? Ekzistojnë një mori arsyesh pse i bindemi rregullave.
Ato shtrihen nga frika e ndëshkimit, deri tek besimi real tek ajo që na është thënë të bëjmë. Këto arsye, mund të jenë personale ose shumë të përgjithshme, bazuar në psikologjinë tonë njerëzore.
Paragjykimi i statuskuosë
Teoria mbi psikologjinë e bindjes, nënvizon dëshirën tonë për të shmangur ndryshimin. Ne priremi tradicionalisht t’u përmbahemi rregullave dhe rutinës, me të cilën jemi mësuar. Ne i bindemi rregullave që janë të rrënjosura në shoqërinë tonë, pasi devijimi ndaj tyre mund të nënkuptojë humbjen e asaj që kemi krijuar tashmë.
Ne e ndjejmë se nëse u bindemi rregullave, nuk kemi çfarë humbasim. Dhe kjo për faktin se kur nuk devijojmë nga tradita, jeta jonë do të mbetet e njëjtë. Ashtu siç zgjedhim të konsumojmë të njëjtin vakt në një restorant, ne thjesht përpiqemi të shmangim ndjenjën e pendesës. Kjo quhet Frika nga Humbja.
Ne jemi gjithashtu viktima të Efektit të Ekspozimit të Pandërprerë. Kjo teori sugjeron se ne zgjedhim të bindemi, pasi kemi qenë të ekspozuar ndaj saj. Kjo sugjeron që bindja psikologjike, krijohet realisht me mjedisin përreth. Nëse prindërit dhe miqtë tanë janë njerëz të bindur, edhe ne priremi të jemi zakonisht të tillë.
Mbikëqyrja masive
Ne e dimë se jemi duke u vëzhguar. Në ndonjë rast, bindja jonë nuk është aspak psikologjike. Ne mund të mos jemi dakord me rregullat e vëna, dhe mund të dëshironim të silleshim ndryshe. Mjerisht, prania e telekamerave thuajse kudo, nënkupton që ne zakonisht bëjmë çmos që t’i bindemi rregullave. Rreziku për t’u kapur në kundravajtje, është shumë i madh kur e dimë se mund të jenë duke na parë.
Fuqia shtrënguese
Ne u bindemi rregullave, kur kemi frikë nga ndëshkimi. Figurat autoritare, e kanë këtë lloj fuqie. Elementi psikologjik i kësaj lloj bindjeje, është ankthi që ndiejmë kur bëhet fjalë për pasojat e mundshme. Jemi praktikisht të tmerruar nga frika e ndëshkimit.
Druhemi se mos humbasim komoditetin që kemi. Nëse nuk i bindemi eprorëve në punë, mund ta humbasim atë. Ngjashëm, bindja jonë mund të ndikohet nga Fuqia Shpërblyese. Në këtë rast, i bindemi rregullave dhe kërkesave të të tjerëve, pikërisht sepse duam që të shpërblehemi.
Dhe ky i fundit mund të vijë në formën e lavdërimeve, ngritjes në detyrë, apo edhe çmime të ndryshme. Psikologjikisht, shpërblimet mund të kenë edhe më shumë ndikim në gatishmërinë tonë për t’u bindur, sesa frika e ndëshkimit.
Presioni i kolegëve
Kur dëshirojmë popullaritet ose pranim në një grup të caktuar, priremi të bëjmë gjithçka që na kërkohet. Në shkollë, “fëmijët më popullorë” priren të jenë ata që shkelin rregullat. Ata braktisin shpesh orët e mësimit, pinë alkool dhe marrin drogë.
Ata nuk iu bindën shumicës së rregullave të përcaktuara nga mësuesit dhe prindërit, dhe adhurohen nga bashkëmoshatarët pikërisht për këtë gjë. Rebelimi konsiderohet si i dëshirueshëm, sidomos gjatë viteve të adoleshencës. Ai dëshmon guxim, dhe një qasje që tërheq vëmendjen të tjerëve.
Me këtë lloj teorie, bie poshtë e gjithë psikologjia e bindjes. Nëse duam që të na pëlqejnë bashkëmoshatarëve tanë, duhet që të mos u bindemi rregullave. Pra e drejta dhe e gabuara, nuk ishin faktorë përcaktues në sjelljen e tyre.
Mosbindja inteligjente
Edukimi është një faktor i fortë në psikologjinë e mosbindjes. Thënë thjesht:Sa më shumë naivë të jeni, aq më shumë ka të ngjarë të ndiqni rregullat pa reflektuar aspak mbi to. Me inteligjencën e rritur, vjen edhe aftësia për të rishikuar rregullat, dhe veçanërisht politikat qeveritare.
Shtimi i akteve të protestave dhe sfidave që po shohim nëpër botë kohët e fundit, mund të ketë ardhur nga njohuri të reja. Këto njihen si akte të Mosbindjes Civile. Protestat për shkeljen e rregullave, janë rezultat i edukimit. Ndërsa kemi më shumë informacione mbi çështjen e ndryshimit të klimës apo drejtësisë sociale, fillojmë të kuptojmë se rregullat dhe ligjet tona janë të pasakta.
Ndaj përpiqemi të ngrihemi në protestë, dhe të biem në sy të politikanëve, për të cilët ne mendojmë se nuk janë aq të arsimuar mbi çështje të caktuara. Dhe për të korrigjuar një padrejtësi të caktuar, duhet të thyejmë disa rregulla.
Sikurse thotë edhe një fjalë e urtë “Nuk mund të bëhet një omëletë pa thyer disa vezë”!. Në rrafshin psikologjik, ne e ndiejmë se njohuritë tona aktuale i tejkalojnë hierarkitë tradicionale. Kjo mund të përfshijë edhe raportet prindër-fëmijë, mësues-nxënës, ose qytetar- qeveri.
Sindroma e Helperit
Risillni pak në kujtesë historinë e Robin Hudit. Ai vidhte të pasurit, dhe ua shpërndante paratë dhe të mirat materiale të varfërve. Ky është një akt i dukshëm mosbindjeje civile. Vjedhja është një qartazi një vepër penale. Sidoqoftë, nëse mendojmë se i kemi ndërmarrë për një të mirë më të madhe, ne mund t’i justifikojmë veprimet tona.
Nëse familja juaj është e varfër dhe e uritur, a është mirë që të vidhni bukë në një ushqimore për t’i ushqyer pjesëtarët e saj? Nëse jeni të kërcënuar për jetën, a është vetëmbrojtja një justifikim i vlefshëm për të kryer një vrasje? Ndonjëherë, besojmë se duhet të bëjmë diçka të keqe, në mënyrë që të korrigjojmë veprimet e gabuara. Kjo mund të vlejë për ne personalisht, ose në emër të shoqërisë në tërësi./ TIRANA TODAY