E mërkurë, 28 Korrik, 2021
22.5 C
Tirana

Psikologia e sociologia sqarojnë pse po divorcohen shqiptarët

Nga: MARSELA SINANI

Të dhënat e publikuara gjatë harkut kohor të viteve 2015-2019, demostrojnë një fakt tronditës se shqiptarët janë skeptikë tek martesa. Në 2019, 5.860 çifte kërkuan zgjidhje të martesës, duke thyer një tjetër rekord, ndonëse në vitet e mëparshme shifrat ishin sërish të larta.

Divorcet mbeten në nivele alarmante, e ndër arsyet pse ndodh kjo shkëputje dhe ftohje ndërmjet çiftit lidhet me një sërë arsyesh si: ekonomike, shkollimi dhe emancipimi i femrave, martesat fiktive për dokumentacion, emigracioni etj, e së fundmi edhe pandemia. Koronavirusi solli përçarjen e shumë çifteve, të cilët në izolim kuptuan se nuk mund të ndërvepronin me njëri-tjetrin, dhe se koha së bashku ishte e çuar dëm.

Statistikat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2015 kishte mesatarisht 25 mijë martesa në vit. Pas kësaj periudhe, numri i tyre ka qenë mesatarisht 22 mijë, me përjashtim të vitit 2018 ku ka shkuar në 23.104.

Sipas psikologes Suareza Nakuçi, mbyllja solli një ngërç të madh. Prishjen e balancës dhe ekuilibrit në familje, ku gruaja i duhej që të bënte shtëpiaken me kohë të plotë. Ajo tregon se stili i jetesës në Shqipëri ka ndryshuar shumë dhe është modernizuar; ku sot divorci nuk është më një tabu dhe gruaja ka fituar pavarësinë e sajë ekonomike për të përballuar jetën edhe pa ndihmën e një burri.

E ndërsa sociologia Entela Binjaku renditi një sërë fatorësh të tjerë, po kaq me rëndësi për ndryshimin e rrjedhës së një çifti. Ajo shpjegon për “Tirana Today” se arsyet lidhen kryesisht me konfliktet në jetën familjare që degjeneronin edhe në dhunë. Konflikte që buronin nga varfëria, martesa disfunksionale, varësitë nga alkooli apo bixhozi që këto degradonin në dhunë, në humbje të roleve martesore, në divorc emocional e psikologjik etj.

Vitet Martesa gjithsej *Divorce gjithsej Divorce për 100 martesa
Years Total marriages *Total divorces Divorces per 100 marriages
2015 24.997 3.761 15,0
2016 22.562 4.345 19,3
2017 22.641 4.508 19,9
2018 23.104 4.846 21,0
2019 22.415 5.860 26,1

 

Suareza Nakuçi (psikologe)

“Kohët e fundit, statistikat tregojnë se kërkesat për divorc në vitin 2021 janë rritur ndjeshëm dhe padyshim që pandemia ka ndikuar thuajse 100%. Më poshtë do iu sjell argumentet me të cilat ndoshta jo të gjithë mund të bien dakord. Përse marrëdhëniet zakonisht prishen, pasi familjet kalojnë më shumë kohë së bashku, si gjatë pushimeve të punës ose gjatë festave. Unë mendoj se bllokimi është në thelb si ato periudha të zgjatura, por me presione të mëdha të shtuara. Mbyllja solli një ngërç të madh, një pjesë disproporcionale e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët ende po bie mbi gratë. Nëse mbyllja solli jo vetëm mbylljen e vendit të punës, por dhe të shkollave, logjikisht është prishur balanca dhe ekuilibri në familje, gruaja duhet të bëjë shtëpiaken me kohë të plotë, atëherë pritshmëritë e saj u bënë më iluzionale pasi një mendim mund të jetë OK!

Do kalojmë më shumë kohë bashkë me familjen. Pastaj vjen një zhgënjim tjetër: Përse unë jam pa ndihmë dhe vetëm? Dhe unë mendoj se realiteti për shumë njerëz ka qenë larg realitetit që i kapi të papërgatitur. Natyra mashkullore shqiptare ka treguar se e sheh femrën si mburojë dhe përgjegjëse per mbarëvarjen e familjes. Pra duke njohur maskilitetin e meshkujve në përgjithësi, problemet vetëm janë shtuar gjatë pandemisë. Por besoj se edhe çiftet e forta që nuk po përballeshin me probleme para pandemisë dhe shmangnin problemet e mëdha lidhur me shëndetin në tërësi të familjes lidhur me rrjedhën dhe dinamikën që mori izolimi, mund të jenë gjithashtu të ndjeshëm ndaj krisjeve të marrëdhënies. Kjo për shkak se pandemia ka hequr “rutina të vendosura mirë që ofrojnë rehati, stabilitet dhe ritëm”. Pa këto, kjo i lë partnerët me mundësi të kufizuara për të “kërkuar forma të tjera mbështetjeje ose stimulimi” përtej marrëdhënies së tyre, gjë që mund t’i vërë nën tension. “Më shumë njerëz janë duke u gjendur të bllokuar në një situatë ku po përpiqen të përballen me atë që po ndodh për ta, si dhe atë që po ndodh mes tyre. Si një tenxhere me presion që nuk lejon asnjë presion, kapaku përfundimisht mund të dalë dhe marrëdhënia të prishet”. Kjo është e qartë nga provat që tregojnë se njerëzit po kërkojnë të banojnë në shtëpi dhe të kenë një mënyrë jetese të ndryshme, të tilla si lëvizja në vend me më pak kohë të shpenzuar për udhëtime, ndryshim mjedisi etj. Një rivlerësim i tillë po ndodh gjithashtu në martesa, me çiftet që rivlerësojnë zgjedhjet e tyre të jetës dhe nevojat e tyre emocionale. “Presionet e pandemisë na kanë kujtuar të gjithëve se jeta mund të jetë e shkurtër dhe ne kemi për detyrë të vlerësojmë se si dhe me kë po e kalojmë kohën tonë të çmuar”. Unë mendoj se ardhja e pandemisë ka qenë një “ndihmë” në të cilën kuptojmë se me të vërtetë jemi kaq të fort për të kaluar këtë periudhë.

Entela Binjaku (sociologe)

“Prirja në rritje e numrit të divorceve ka vite që ka nisur. Prapë edhe pa ndodhur pandemia, në vendin tonë ritmi ka qenë në rritje. Arsyet lidheshin kryesisht me konfliktet në jetën familjare që degjeneronin edhe në dhunë. Konflikte që kishin për pasojë divorcin ishin: konflikte që buronin nga varfëria, martesa disfunksionale, varësitë nga alkooli apo bixhozi që këto degradonin në dhunë, në humbje të roleve martesore, në divorc emocional e psikologjik etj.

Pandemia nxori në pah edhe dobësitë e njërit apo tjetrit bashkëshort. Pandemia i vuri nën presion shumë martesa dhe ato nuk rezistuan. Disa martesa i forcoi, të tjera i çoi në zgjidhje.

Shumë martesa me këto tipare, hynë edhe në regjimin e kufizimeve prej pandemisë. Në këtë periudhë të pazakontë, familja ishte streha e vetme me të cilën përballoje panikun apo pasigurinë që buronte nga e panjohura. Shumë martesa u përballën me vetveten dhe prej kësaj rezultoi se jeta bashkëshortore nuk kryente mjaft nga funksionet e martesës. Në kushtet kur kufizimet nuk lejonin as ndërveprimin me të tjerë, koha e qëndrimit me bashkëshortin ishte edhe më e gjatë dhe konfliktet në familje mund të ishin më të dukshme. Pra nga jeta aktive dhe puna jashtë shtëpisë, befas u gjendën të mbyllur në një hapësirë të vogël, të shoqëruar nga pasiguritë dhe në mes të tensioneve.

Një arsye që mund ta ketë ndikuar në rritjen e tensionit brenda jetës familjare lidhej me gjendjen emocionale apo psikologjike të njërit apo të të dy bashkëshortëve e ndikuar nga pasiguria dhe ankthi i së panjohurës që prodhonte situata e pandemisë. Shpesh këto pasqyroheshin edhe në mënyrën e komunikimit, në largësinë emocionale  në rritje mes bashkëshortëve deri sa “gur-gur bëhej mur”. /Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Si mund të shmangen epidemitë

Numri i vdekjeve të raportuara nga COVID-19 ka kaluar 4 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins që regjistron infektimet dhe vdekjet. Në 100 vitet e...

Politikani lituanez dënohet me burg për spiunim për Rusinë

Një gjykatë në Lituani dënoi politikanin Algirdas Paleckis me gjashtë vjet burgim, pasi e shpalli fajtor për spiunim për Rusinë. Gjykata e rrethit Siauliai vendosi...

Lëkundje sizmike me magnitudë 4.1 në Shqipëri

Lëkundje sizmike janë regjistruar mbrëmjen e sotme në vendin tonë. Sipas statistikave të publikuara nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit, tërmeti me...

Zgjedhje të parakohshme? Haradinaj: Qeveria Kurti nuk do të zgjasë shumë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se qeveria e Albin Kurtit nuk do të zgjasë shumë, duke paralajmëruar se në...

I pandehur me ish-ministrin Tahiri/ Rrëzohet kërkesa e Jaeld Çelës për liri

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka rrëzuar  kërkesën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, për lirimin nga...