Editorial - Opinione

Pse vonesat e KQZ shpërblejnë tezat e opozitës

               Publikuar në : 19:46 - 18/07/19 M. S

Nga: Alfred Lela

Me një kryetar part-time, i cili vetëm simbolikisht mund të përfaqësojë opozicionin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në garë me veten dhe kohën, që prej 1 korrikut. Klement Zguri, bashkë me Avokaten e Popullit, është i vetmi gur (jo dhe aq i çmuar, me sa duket) që ka mbetur nga marrëveshja Rama-Basha, ngjan me një disident rus të viteve ’80 të cilin as e vrasin dhe as e largojnë, për faktin se u shërben ornamenti që siguron spikama e tij e zbehtë demokratike.

Në gjithë këtë gurore, Zguri nuk është problemi, megjithatë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka siguruar vetes edhe një tur të ri diskreditimi, me një palë zgjedhje që ishin të tilla pa patur nevojën e një dore ndihmëse. Por KQZ me të vërtetë që e varrosi përfundimisht besimin që mazhoranca po mundohet, prej thuaje tri javësh të injektojë në trupin e vdekur të votimeve të 30 qershorit.

Ky rrënim i ri ka të bëjë së pari me kohën. Kur jemi 18 ditë pas zgjedhjeve, KQZ nuk ka mundur, nuk ka dashur, ose nuk ka ditur të certifikojë një rezultat. A ka nevojë të kujtohet se, më 30 qershor nuk ka pasur garë, nuk ka pasur alternativë, nuk ka pasur kundërshtarët dhe as kontestime, për të thënë se KQZ me gjithë strukturën e vet, duhet të numëronte votat e vetëm një partie.

Pamundësia për ta bërë këtë, edhe pse është shtrirë në kohë, nuk shpjegohet asesi me kohën. Dashur pa dashur, Komisioni, që opozita e ka quajtur i Vjedhjeve, ka ndihmuar një tezë të opozitës, sipas së cilës vetëm 15 përqind e votuesve kanë marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkohë KQZ është rreth 10 pikë më lart në pjesëmarrje, diku mbi 25 përqind.

Fakti që KQZ ka përqindjen dhe numrin e votuesve, por nuk ka ende rezultatin takohet me një tjetër tezë, dyshim apo akuzë të opozitës, atë se në kuti ka më shumë vota se ka patur votues, dhe KQZ i duhet të bëjë tani rakordimin e tyre. Të çojë në përputhshmëri një akt grabitjeje dhe manipulimi.

Vonesa apo kapitullimi para shpalljes së rezultatit për një garë njëkalimëshe dhe me një garues, i jep të drejtë opozitës.

Pa ardhur te shkelja finale, KQZ edhe gjatë procesit të numërimit ka bërë disa minispektakle që janë raportuar gjerësisht në media. Si psh raportime paraprake të rezultatit të zgjedhjeve në zona të caktuara ende pa filluar numërimi. Apo mospërputhje, në disa KZAZ, të numrit të votave në kuti me votuesit e paraqitur në qendra votimi. Siç kanë qarkulluar edhe video (skandaloze) individësh në zotërim të kutive të votimit dhe qindra fletëve, në mjedise të çuditshme jashtë institucioneve (një video e tillë është shpërndarë nga ish-kryeministri Berisha).

Raporti final i OSBE-ODHIR duhet t’i marrë parasysh edhe këto në argumentimet që do parashtrojë për verdiktin mbi 30 qershorin.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT