Stil

“Pse u largova nga Teatri Kombëtar”/ Aktorja Ina Gjika rrëfen puthjen me Arben Spiron

               Publikuar në : 11:15 - 11/07/19 user tir

Personazhet dallojnë menjëherë, sidomos nëse janë nga ata që u pëlqen shumë media dhe prezantimi i vetes në të. Janë ata të tjerët që i kanë pasur dy a më tepër përvoja me gazetarët, dhe të tjerët, që edhe pse në fusha artistike, nuk e kanë parë reklamimin si shpëtimin e punës së tyre. Aktorja Ina Gjika nuk bëri asgjë që të tërhiqte vëmendjen për këtë shkrim. Rastësisht po shihja filmin e saj “Vetmi” dhe e kërkova në virtualisht për të parë se ç’kishte bërë e çfarë bënte sot, tridhjetë vite më pas. Nuk gjeta asgjë! Në “Facebook” gjendej kollaj, vetëm se tani nga aktrimi nuk kishte shumë gjurmë.

Fotografitë e saj tregonin që ishte baleti drejtimi profesional që kishte zgjedhur në Itali, ku jeton prej kohës kur u gjend e lirë për të emigruar. Ina nuk i kushtoi ndonjë rëndësi kushedi as artikullit për të cilin i thashë se doja të shkruaja, as pyetjeve… Kaloi gati një muaj dhe dy kujtesa që të dërgonte disa përgjigje të shkurtra, por të mjaftueshme për të kuptuar pak natyrën e saj, shkëputjen nga aktrimi dhe marrëdhënien e re me baletin. Sigurisht që do të zinte pak vend edhe puthja e saj e famshme me Arben Spiron, si një nga më të çliruarat e kohës. Sepse Ina e ka përjetuar vërtet ashtu, jo si tabu, si pjesë të punës që duhet ta çonte deri në fund.

Ndryshe nga filmat e ‘lirë’ e pa identitet të pas ’90-ës, filmi “Vetmi” e ruante ende portretin e kohës, por jo censurën. Për këtë e të tjera Ina na ka folur jo dhe aq gjatë… Ina, na tregoni pak për jetën që bëni sot… Aktualisht, jetoj në Romë, prej 27 vitesh, gjithmonë e lidhur me artin skenik, baletin kryesisht! Pasi pata disa mundësi për t’u aktivizuar si aktore në disa seriale të televizionit Italian (RAI3), njoha dhe zbulova Belly Dance, në fillim në Turqi dhe me pas në Romë! Kërcim interesant për mua, muzika shumë e ngjashme me tonën, të Shqipërisë së Mesme! E favorizuar nga studimet dhe diploma e shkollës sonë të baletit nuk m’u desh shumë të njihja mënyrën dhe stilin e këtij kërcimi, që bazën e ka gjithsesi ne folklorin e vendeve të Afrikës së Veriut dhe vendeve të Lindjes së Mesme. Dhe kështu pas një formimi 3-vjeçar, fillova të kërceja si balerinë dhe më pas ngadalë-ngadalë të krijoj një shkollë me kurset e mia, dhe studentë të moshave të ndryshme.

Në ç’rrethana jeni larguar nga Shqipëria?

Largimi im nga Shqipëria!? Rrethanat në ato vite i njohim pak a shumë të gjithë… Unë kisha 2 vite që isha emëruar dhe punoja në Teatrin Kombëtar, largimi im qe një zgjedhje personale, mbase kurioziteti për të njohur “jashtë shtetin” e dikurshëm dhe jetuar larg në ato momente. Po me baletin çfarë ju bashkoi? Isha në një farë mënyre në fillimin e karrierës sime si aktore dhe mendoj se edhe diploma e shkollës së baletit ose të qenurit e aftë të kërceja në skenën e Teatrit më dhanë mundësi për bashkëpunime të ndryshme me kinematografinë.

Nëse më kujtohet saktë, kam interpretuar disa role në filma të regjisorëve Spartak Pecani, Gjergj Xhuvani, Vladimir Prifti dhe në Teatrin Kombëtar me Edmond Budina, Andon Qezari. Ne vitin 1988 fitova konkursin që zhvillohej dhe të prezantoj Festivalin e Këngës në Radio Televizion, nën drejtimin e Vera Grabockës. Oh, atmosfera profesionale ishte thjesht e mrekullueshme, bashkëpunimi dhe kontaktet me aktorët ishte magji për një fillestare si mua, kam dhe ruaj kujtime të bukura dhe emocionuese!

Na tregoni diçka për filmin “Vetmi”, ishte e thjeshtë për ju realizimi i skenës së puthjes me aktorin Arben Spiro?

Në filmin “Vetmi”, ku interpretoja rolin e Suzit, ndjehesha e lirë, jo nuk pata asnjë dyshim të pranoja puthjen me partnerin tim Arben Spiro… ishim dhe jemi miq, mendoj që kjo lehtësonte gjendjen… por emocioni i asaj skene nuk ishte indiferent!

Jeni penduar që zgjodhët aktrimin, përderisa devijuat brenda artit gjatë rrugës?

Zgjodha aktrimin sepse dashuroja Teatrin dhe Kinemanë, jo nuk jam penduar, pse vallë? Në Itali, siç të shkrova më sipër, pata mundësinë, por rrethanat jetësore dhe familjare ndikojnë për zgjedhje më se konkrete.

Si janë sot marrëdhëniet tuaja me aktrimin në Shqipëri? Keni pasur ftesa, propozime për të marrë pjesë këtu në projekte?

Për fat jo të mirë, marrëdhëniet zyrtare profesionale ka kohë që janë ndërprerë, por mendoj që mund të krijohen shpejt nëse jepet mundësia! Pas largimit kujtoj një propozim të regjisorit Artan Minarolli, por krijimi i familjes këtu në Romë dhe djali që asokohe ishte i vogël më detyruan të mos qe e mundur! Por, mendoj që mundësitë dhe propozimet duhen kërkuar edhe, gjë që unë nuk e kam bërë deri tani… Por kohët ndryshojnë, ne ndryshojmë dhe besoj që së shpejti do jem në kërkim të mundësive! /Panorama

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT