Pse Stalini u përpoq ta ndalonte fenë në Bashkimin Sovjetik?

Kur nisi epoka e sundimit komunist në Rusi në vitin 1917, feja u pa si një pengesë për një shoqëri të lulëzuar socialiste. Siç shprehej dikur Karl Marksi, bashkautor i “Manifesit Komunist”,“Komunizmi fillon atje ku fillon ateizmi”.

Si udhëheqësi i dytë i Bashkimit Sovjetik, Stalini u përpoq të zbatonte ateizmin militant. “Njeriu i ri socialist” thoshte Stalini, ishte një ateist, pa “zinxhirët fetarë” që kishin ndihmuar në shtypjen e tij klasore.

Nga viti 1928 deri në Luftën e Dytë Botërore, kur u zbutën disa kufizime, diktatori mbylli kishat, sinagogat dhe xhamitë dhe urdhëroi vrasjen dhe burgosjen e mijëra udhëheqësve fetarë në një përpjekje për të eleminuar edhe konceptin e Zotit.

Në nivelin personal,Stalini ishte i njohur me kishën. Kur ishte i ri në Gjeorgjinë e tij të lindjes,ai u përjashtua në fillim nga një seminar,dhe më pas u detyrua të braktiste një tjetër, pasi u arrestua për zotërim të literaturës ilegale.

Ndërsa seminaristi i ri po zhgënjehej gjithnjë e më shumë nga feja, “natyra gjithëpërfshirëse e Marksizmit, gati fetare në universalitetin e saj, ishte jashtëzakonisht tërheqëse për të”,shkruan Oleg Klevniuk në biografinë e tij për diktatorin, të botuar në vitin 2015.

Kur Stalini u ngjit në pushtet në mesin e viteve 1920, Kisha Ortodokse Ruse ishte ende një forcë e fuqishme, megjithëse me më shumë se një dekadë masash anti-fetare nën sundimin e Leninit.

Fshatarët rusë ishin shumë besimtarë, shkruan Riçard Madsen në Manualin e Historisë së Komunizmit. “Liturgjia kishtare ishte ende shumë e ngulitur në mënyrën e tyre të jetës, dhe e domosdoshme për botëkuptimin e tyre dhe jetën komunitare”- tha ajo.

Një kishë e fuqishme ishte një perspektivë e rrezikshme, dhe mund të kërcënonte suksesin e revolucionit. Plani 5-vjeçar i filluar në vitin 1928, u dha celulave lokale të organizatës antifetare “Lidhja e Ateistëve Militantë”, mjete të reja në dispozicion për të zhdukur besimin fetar.

Kishat u mbyllën dhe u privuan nga pasuria e tyre, si dhe çdo veprimtari arsimore që shkonte përtej liturgjisë së thjeshtë. Krerët e kishës u burgosën dhe ndonjëherë u ekzekutuan, me akuzën e të qenit anti-revolucionarë.

Klerikët e paktë që mbetën gjallë, u zëvendësuan nga ata që vlerësohej se ishin simpatizantë të regjimit,duke e bërë kishën akoma më të dobët, si një pikë fokale të mundshme për zërat kundër apo kundërrevolucion.

Madsen thotë se në zemër të këtij plani kishte një ide relativisht të thjeshtë:Ishte e mundur dhe e dëshirueshme çrrënjosja e“ndërgjegjes tradicionale kombëtare”, në mënyrë që të “krijohej një shoqëri e bazuar në parimet universale të socializmit”.

Ky plan u eksportua përfundimisht edhe në vendet e tjera komuniste që kishin zgjedhur të hynin në aleancë me Bashkimin Sovjetik. Në terren, botimet propaganistike pro-ateizmit u përpoqën ta eleminonin krejtësisht fenë nga jeta e përditshme.

Duke nisur nga viti 1929, kalendari i ri sovjetik kishte në fillim një javë 5 -ditore, e krijuar enkas për të hequr fundjavat dhe për të revolucionarizuar konceptin e punës. Por ai kishte një funksion dytësor:Të eliminonte të Premten, të Shtunën dhe të Dielën, ditët e adhurimit fetar për myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët.

Njëkohësisht, kishat, sinagogat dhe xhamitë e mbyllura u shndërruan në “muzeume të ateizmit”. Ndërkaq, ikonat dhe reliket u zhveshën nga mistika e tyre dhe u trajtuan si objekte të zakonshme. Publiku i gjerë nuk dukej se ishte veçanërisht i tronditur nga këto akte.

Gjatë gjithë kohës, “Lidhja e Ateistëve Militantë”botoi dhe shpërndau botime anti-fetare, organizoi leksione dhe demonstrata dhe e ndihmoi propagandën ateiste që të depërtonte në thuajse çdo element të jetës. Por popullariteti i këtyre botimeve nuk tregonte gjithmonë se ateizmi po fitonte Deri në vitin 1939, vetëm 200 kisha ishin ende të hapura, nga rreth 46.000 para Revolucionit Rus.

Klerikët dhe laikët ishin ekzekutuar ose dërguar në kampet e punës, ndërsa vetëm 4peshkopë mbetën “të lirë”. Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Kisha Ortodokse ishte e mposhtur. Kur pushtuesit nazistë rihapën kishat në Ukrainë, për të inkurajuar simpatinë e popullatave lokale, Stalini ndoqi të njëjtin shembull në mbarë vendin, në një përpjekje për të nxitur përkrahjen kombëtare për atdheun.

Stalini duket se kishte bindjen absolute në luftën e tij antifetare. Ai mendonte se feja ishte diçka e pakuptimtë, dhe një mënyrë për t’i hedhur hi syve njerëzve në mënyrë që t’i kontrolloni. Kur takoi për herë të parë Frenklin Ruzvelt, Stalini u befasua kur mësoi se presidentin amerikan shkonte në Kishë.

Ai e pyeti diplomatin U.Averel Herriman “nëse presidenti, duke qenë një njeri kaq inteligjent, ishte vërtet aq fetar sa u shfaq para tij, apo e gjitha ishte bërë për qëllime politike”.Edhe kur masat brutale të Stalinit patën sukses në dobësimin e autoritet zyrtar të Kishës Ortodokse Ruse, ato patën një ndikim minimal në besimin real të njerëzve.

Deri në vitin 1937, një sondazh mbi popullsinë sovjetike zbuloi se 57 për qind prej tyre identifikoheshin si “besimtarë fetarë”.

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, fushata anti-fetare vijoi për dekada me radhë, Bibla ndalohej të qarkullonte, teksa lejohej shumë pak arsimimi fetar. Në vitin 1987, amerikania “New York Times” raportonte se “zyrtarët sovjetikë kanë filluar të pranojnë, se mund ta kenë humbur betejën kundër fesë”.

Në aspektin kulturor, bolshevikët urbanë kishin pak të përbashkëta me fshatarët ruralë që përbënin një pjesë të madhe të popullatës së përgjithshme. Për fshatarët, ateizmi militant nuk ishte kurrë mjaftueshëm tërheqës, për të zëvendësuar shekuj të praktikës fetare, sidomos pasi kujtesa e revolucionit të vitit 1917 dhe sundimi i Stalinit, u zbeh gjithnjë e më shumë nga memoria e tyre.

Burimi i lajmit: https://www.history.com/news/joseph-stalin-religion-atheism-ussr

Përshtatur nga TIRANA TODAY