Pse Perëndimi nuk e mbështet Republikën Çeke në përballje me Rusinë?

burimi: https://www.spectator.co.uk/article/why-isn-t-the-west-standing-up-for-the-czech-republic-

Nga Tim Ogden & Vazha Tavberidze “Spectator”

Zbulimi nga shërbimet e inteligjencës çeke se shpërthimi në një depo municionesh dhe armësh në vitin 2014, që shkaktoi vdekjen e 2 personave, u krye nga të njëjtët agjentë rusë përgjegjës për helmimin e isha-agjentit rus Sergei Skripal në vitin 2018, është akti i fundit në dramën në vazhdim midis Kremlinit dhe Perëndimit, që së fundmi është përshkallëzuar nga paaftësia e presidentit çek për ta fajësuar direkt Rusinë për sulmin, por edhe nga mungesa e mbështetjes së aleatëve ndaj Republikës Çeke.

Të dy agjentët rusë që shkaktuan shpërthimin në depon ushtarake, përdorën të njëjtat pseudonime për të hyrë në Britani, dhe për të udhëtuar deri në Salisbury gati 4 vjet më

vonë, gjoja me pretendimin për të vizituar katedralen 123 metra të lartë të qytetit.

Në vitin 2018, “Aleksandër Petrov” dhe “Rusllan Boshirov” u dërguan për të eleminuar Skripal. Ndërkohë, shënjestra e tyre e vitit 2014 ishte një dërgesë ushtarake në fshatin lindor çek Vrtebice, që pretendohet se synonte të dërgohej në Ukrainë, që në atë kohë ishte e angazhuar në disa nga luftimet më të ashpra kundër forcave ruse dhe aleatëve të tyre separatistë.

Praga ka reaguar menjëherë pas zbulimit të këtij skandali duke dëbuar 18 “diplomatë” rusë -edhe pse në fakt ata janë të dyshuar si operativë të GRU-së ose SVR – nga ambasada e tyre, ndërsa Rusia u kundërpërgjigj me të njëjtën mënyrë pak ditë më vonë.

Gjithsesi, situata në Pragë është zhvilluar shumë ndryshe nga sulmi ndaj Skripal. Kur Britania ndoqi të njëjtën mënyrë reagimi si autoritetet çeke me dëbimin e personelit të ambasadës ruse në Londër, vendet aleate e ndoqën shembullin e saj në shenjë solidaritet, dhe dëbuan rreth 342 rusë.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur për Pragën. Kjo mungesë mbështetje po ndihet më shumë nga çekët pro-perëndimor. Ndërkohë, presidenti i tyre Millosh Zeman, gjatë gjithë kohës nuk e ka fshehur simpatitë e tij ndaj Rusisë. Këtë javë, ai tha se Moska mund të mos ishte fajtore për shpërthimin e 2014-ës, dhe se ai mund të ishte shkaktuar nga “trajtimi jo profesional i eksplozivëve”.

Vetëm dy javë më parë, kryeministri çek e kishte drejtuar gishtin nga Rusia. Peter Kolar, ish-ambasadori çek në Suedi, Irlandë, SHBA dhe në Rusi, thotë se kriza aktuale po i shton edhe më shumë dyshimet e publikut çek mbi besnikërinë e presidentit Zeman:“Në vend ka shumë spekulime se presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij kanë negociuar në një farë mënyre me Rusinë; dhe pikërisht në kohën kur qeveria jonë u dha diplomatëve rusë disa ditë kohë që të largoheshin nga ambasada. Disa spekulojnë se kjo është koha që i jepet presidentit Zeman për të krijuar kabinetin e tij qeveritar, që do të ishte më miqësor me Rusinë sesa qeveria aktuale. Është shumë e habitshme të shohësh se në mesin e publikut, ekziston një konsensus i madh se Rusia përbën vërtet një kërcënim për vendin tonë, se ajo që bëri Rusia në Vrtebice ishte një akt i terrorizmit shtetëror”.

Lexo edhe :   Sekretari Blinken viziton Ukrainën mes tensioneve me Rusinë

Ai ka theksuar gjithashtu nevojën që Perëndimi të tregojë solidaritet me Pragën, edhe nëse përpjekjet diplomatike çeke deri më tani kanë munguar. Jakub Kelenski, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, thotë se “ndryshe nga çështja e helmimit të Skripal në vitin 2018, ku ne pamë një përgjigje të koordinuar nga Perëndimi, në këtë rast asgjë nuk ishte koordinuar paraprakisht”.

Pas sulmit ndaj Skripal, si Britania edhe SHBA-ja vendosën sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, ashtu siç kishin vepruar pas aksionit ushtarak të Moskës kundër Ukrainës në vitin2014. Kjo qasje është shumë shqetësuese për njerëz si senatori çek Marek Hilser, një figurë kryesore e opozitës dhe ish-kandidat për president.

“Ne duhet të mbështetemi nga BE-ja dhe Britania në vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të Putinit. Por këto masa duhet të jenë kundër njerëzve të veçantë të regjimit të Putin. Mënyra e vetme përmes së cilës ne mund të ndikojmë në këtë regjim, është të godasim ata që e rrethojnë Putinin.

Ata janë shumë të interesuar të vizitojnë Evropën, të blenë prona dhe tëbëjnë investime. Nëse u refuzojmë hyrjen, ata do të humbasin mënyrën e tyre të jetës, gjë që jam i sigurt se është pika e tyre e dobët. Sanksionet e përgjithshme nuk ndihmojnë dhe aq shumë, ne duhet të jemi specifik. Ne nuk duhet të vendosim sanksione kundër popullit rus”- thotë ai.

Tensioni midis Pragës dhe Moskës ka sjellë përjashtimin e kompanisë ruse të energjisë Rosatom nga tenderi për ndërtimin e termocentralit bërthamor Dukovany. Ky projekt ishte një çështje politike e nxehtë, ashtu siç ishte edhe përpjekja për blerjen e vaksinave ruse Sputnik V.

Debatet mbi këto 2 çështje e nxitën presidentin Zeman të zëvendësojë ministrat kundër Kremlinit me figura më të pëlqyeshme për Moskën. Ajo që është në lojë përtej administratës së Zeman apo edhe marrëdhënieve midis Moskës dhe Pragës, është perceptimi i Kremlinit mbi unitetin perëndimor.

Me pandeminë e Covid-19 që ende po vazhdon të shkaktojë vështirësi të reja, Evropës, Britanisë dhe Amerikës, mund t’i falet që nuk reaguan që në fillim në të njëjtën mënyrë si ndaj atentatit ndaj Sergei Skripal. Gjithsesi një solidaritet brenda Perëndimit, do t’i dërgonte jo vetëm një mesazh të vendosur Kremlinit, por edhe popullit çek dhe fraksioneve të tij pro-evropiane; dhe një shfaqje të përkushtimit për anëtarët e saj më të rinj të familjes evropiane.

Përshtatur nga Tirana Today