Nga Dimitar Bechev “Al Jazeera”
“Fjala është për interesin tonë të ndërsjellë!”- deklaroi presidenti amerikan Xho Bajden në një konferencë shtypi pas takimit të tij më 16 qershor me atë rus Vladimir Putin. Deklarata e tij i thotë të gjitha. Samiti i shumëpritur i mbajtur në Gjenevë, nuk solli një ndryshim thelbësor në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Nga asnjëra palë nuk kishte ndonjë pritshmëri, se do të bëhej shumë për të riparuar lidhjet midis dy vendeve, që janë aktualisht në gjendjen më të keqe në dekadat e fundit. Moska dhe Uashingtoni e shohin njëri-tjetrin si rivalë, dhe kështu do të jenë gjërat edhe në vazhdim.
Nuk ka asnjë mënyrë sesi ato të ndryshojnë për arsye strategjike apo ideologjike. “Rivendosjet” e marrëdhënieve i përkasin të kaluarës. Aventurat e Donald Trump përkundrejt, veçanërisht samiti poshtërues i Helsinkit në korrikun e vitit 2018, vetëm sa i përkeqësoi gjërat.
Përkundrazi, takimi 3 orësh midis Putin dhe Bajden, duket se shkoi relativisht mirë. Me pritshmëritë shumë të ulëta para takimit, të dy udhëheqësit ranë dakord mbi hedhjen e disa hapave të vegjël, të cilët nëse ndiqen, do ta ulin disi “temperaturën” në raportet midis Uashingtonit dhe Moskës.
Formula ishte e thjeshtë:lër mënjanë çështjet e diskutueshme, dhe diskuto mbi fushat ku ka gjasa që arrihet një lloj dakordësie. Samiti prodhoi një deklaratë të shkurtër të përbashkët që nënvizoi arritjet e bashkëpunimit SHBA-Rusi mbi kontrollin strategjik të armëve bërthamore.
Në një telefonatë midis tyre të zhvilluar në 26 janar të këtij viti, Putin dhe Bajden ranë dakord të zgjasnin edhe për 5 vjet të tjera traktatin e NEW START, që pritej të skadonte në muajin shkurt. Kjo u jep kohë të dyja palëve, që të hartojnë një marrëveshje tjetër.
Për më tepër, të dy presidentët ranë dakord që të dërgojnë ambasadorët e tyre në kryeqytetet përkatëse, duke rivendosur marrëdhëniet normale diplomatike. Të dy diplomatët u thirrën nga qeveritë e tyre në muajt mars-prill, gjoja ”për konsultime”. Ndërkohë një test sa larg mund të shkojë angazhimi dypalësh, është Lindja e Mesme.
Gjatë takimit u diskutuan disa çështje. Në Siri, qeveria amerikane dëshiron një strategji të koordinuar për shpërndarjen e ndihmës humanitare, mundësisht përmes një kalimi në kufirin Siri-Turqi. Marrëveshja bërthamore iraniane, ishte një çështje tjetër që u ngrit në samit, dhe për të cilën mund të bashkëpunojnë Uashingtoni dhe Moska.
Administrata Bajden ka rifilluar bisedimet me Teheranin rreth modaliteteve të kthimit të SHBA-së në Planin e Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit. Rusia, si një nga nënshkruesit e marrëveshjes dhe një partner i Iranit, është qartazi e interesuar për këtë rikthim.
Pas tërheqjes së SHBA, edhe Afganistani mund të rezultojë një fushë tjetër me interes reciprok. As Amerika dhe as Rusia nuk do të dëshironin të shihnin Talibanët të kthehen në pushtet në Kabul. Me largimin e trupave perëndimore, dhe me një Moskë gjithnjë e më të frikësuar ndaj një rritje të radikalizmit në rajon sesa nga ekspansionizmi amerikan, bashkëpunimi është më i mundur.
Nëse rusët dhe amerikanët e gjejnë gjuhë të përbashkët mbi këto çështje kritike, historia do ta gjykojë në mënyrë të favorshme samitin e Gjenevës. Megjithatë, nuk ka hapësirë për marrëveshje mbi çështjet themelore.
Bajden sinjalizoi se është i neveritur ndaj çdo goditje të Kremlinit ndaj opozitës së brendshme në Rusi apo për luftën në Ukrainë. SHBA duhet të arrijë një akt të mirë ekuilibrues:Nga njëra anë, duhet t’i përmbahet parimeve demokratike dhe nga ana tjetër të angazhohet me Rusinë dhe ta trajtojë atë si një fuqi tjetër të madhe.
Referenca e Bajden për Putinin si një “kundërshtar i denjë”, është muzikë për veshët e Kremlinit dhe sinjalizon respekt. Sidoqoftë, Uashingtoni nuk do të kalojë tërësisht tek realpolitika, duke hedhur rrugës të gjithë vlerat dhe parimet që mbron.
Samiti nuk prodhoi asgjë për situatën në Ukrainën, që deri disa javë më parë, dominonte titujt kryesorë të mediave. Thjesht nuk pati hapësirë për një shkëmbim gjeopolitik midis SHBA-së dhe Rusisë, si ai që do të dëshironte të shihte Putin.
Në këto kushte a mund të funksionojë kjo formulë minimaliste e marrëdhënieve dypalëshe, e mbështetur nga Bajden por edhe nga Kremlini? Vetëm koha do ta tregojë. Por armiqësia dhe mosbesimi nga të dy palët, lënë shumë terren për skepticizëm.
burimi: https://www.aljazeera.com/opinions/2021/6/20/the-era-of-us-russia-resets-is-over
Përshtatur për Tirana Today