Pse marrëveshjet dhe kontratat janë shkruar për shekuj mbi lëkurën e deleve?

Nga shekulli XVI dhe deri në shekullin XX-të, dokumentet ligjore britanike shkruheshin kryesisht mbi pergamenat e përgatitura nga lëkura e deleve. Kjo është ajo që del nga një studim i botuar nga “Heritage Science”, që shpjegon se si ky lloj materiali ishte ideal për të shmangur manipulimet dhe falsifikimet e mundshme.

Struktura dhe përmbajtja e lartë e yndyrës në lëkurën e deleve,e bënte në fakt të dukshme çdo lloj përpjekje për të modifikuar tekstin, dhe për pasojë të pavlefshëm atë.

Dokumente të sigurt

“Avokatët e kohës ishin shumë të shqetësuar mbi vërtetësinë dhe sigurinë e dokumenteve ligjore, dhe kjo dëshmohet nga përdorimi i vulave”- shprehet Shon Doherti, kreu i “Heritage Science”. Sipas tij, tanimë është e qartë se ky shqetësim i nxiti ata të zgjidhnin lëkurën e kafshëve për të bërë pergamenët.

Doherti analizoi 645 shembuj të dokumenteve ligjore, nga arkivat deri tek koleksionet private, dhe zbuloi se 622 prej tyre ishin bërë me lëkurën e deles. Dhe arsyeja kishte të bënte me vetitë e saj mbrojtëse ndaj mashtrimit. Lëkura e deleve përbëhet nga disa shtresa, midis të cilave ka sasi të mëdha yndyre.

Roli i veçantë që luante dhjami

Për të prodhuar një fletë pergamene, lëkura e deles zhytej në gëlqere në mënyrë që t’i thahej yndyra. Kjo procedurë krijonte hapësira të zbrazëta midis shtresave të ndryshme. Cilido që përpiqej të gërvishtte bojën për të modifikuar tekstin e një dokumenti do të shkaktonte shkëputjen e shtresave të sipërme me ato të mëposhtme, duke e bërë të dukshme përpjekjen për mashtrim dhe për pasojë të pavlefshëm dokumentin.

Kjo është hera e parë që është kryer një studim i thelluar mbi dokumentet ligjore të lashta, që normalisht konsiderohet se kanë pak interes historik. Madje me kalimin e viteve shumë prej tyre u hodhën, dogjën apo u ricikluan si abazhurë gjatë shekullit XX-të.

Burime historike të papritura

“Tekstet ligjore kanë pak vlera historike, për shkak se ato raportojnë shpesh formula të përsëritura. Megjithatë, falë teknikave moderne analitike, si spektrometria e masës, ne mund të studiojmë informacionin kimik dhe biologjik të regjistruar në lëkurën e pergamenës”-thotë Doherti. Ndërkohë, këto dokumente bëhen kësisoj relike të rëndësishme historike jo për atë çka është shkruar mbi to, por si një arkiv molekular i zejtarisë, tregtisë dhe zooteknikës”.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/cultura/storia/perche-si-usava-in-ambito-legale-la-pelle-di-pecora