E hënë, 18 Janar, 2021
-6 C
Tirana

Pse kryengritja pro-Trump, është makthi më i keq i Vladimir Putinit

Nga: Leonid Ragozin “Politico.eu

Ndërsa mbështetësit e Donald Trump u turrën me tërbim mbi Kapitol Hill, shumëkujt do t’i falej supozimi se presidenti rus Vladimir Putin po i shihte ngjarjet që zhvilloheshin, duke fërkuar duart nga kënaqësi.

Tek e fundit, kaosi, konfuzioni dhe trazirat që u panë, mund të shihen si kulmi i përpjekjeve të Kremlinit për t`a minuar demokracinë amerikane. Por, në Moskë reagimi ishte i matur dhe midis mbështetësve të Putinit, ndërsa mediat propagandistike shtetërore, u përpoqën të ecnin mbi një vijë të hollë:Të përfitonin nga mundësia për t`a tallur Amerikën, dhe në të njëjtën kohë të shmangnin inkurajimin e trazirave të ngjashme në vendin e tyre.

Sigurisht, në mënyrë të parashikueshme, pati njëfarë entuziazmi. “Demokracia amerikane po çalon në të dyja këmbët”-shkroi në Facebook Konstantin Kozaçev, një anëtar i komisionit për çështjet e jashtme në dhomën e sipërme të parlamentit rus.

SHBA-ja tha ai, “ka humbur aftësinë e saj për të hartuar kursin e vet, dhe për këtë arsye e ka humbur aftësinë për të diktuar kursin tek të tjerët”.Pati ndërkohë krahasime me revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë, që rrëzoi presidentin Viktor Janukoviç, dhe e nxiti Putinin të aneksonte Krimenë.

Duke kujtuar një episod kur ndihmës/sekretarja amerikane eShtetit, Viktoria Nuland, shpërndante mesazhe inkurajuese për protestuesit në qendër të Kievit, Kozaçev pyeti se çfarë do të bënin amerikanët me zyrtarët e huaj që do të bënin të njëjtën gjë me mbështetësit e Trump në shkallët e Kapitolit.

A do të thoshin ende ata se “populli ka gjithmonë të drejtë apo “poshtë uzurpatorët”, u shpreh ai. Audienca e synuar e kësaj linje të të menduarit është natyrisht e brendshme, ruse. Synimi është të demaskohet standarti i dyfishë i dukshëm i establishmentit politik amerikan, që mbështeti revolucionin e Euromaidanit në vitin 2014, duke bërë një sy qorr ndaj radikalëve të ekstremit të djathtë që luajtën një rol në atë lëvizje, teksa i cilësoi si ”kriminelë dhe terroristë”mbështetësit e Trump që tentuan të përmbysnin rezultatin e zgjedhjet presidenciale të SHBA.

Kjo ekuivalencë, e nxitur nga propaganda e Kremlinit, midis kryengritjes së dështuar të mbështetësve të Trump dhe revolucionit ukrainas është e rreme, dhe shihet si një përpjekje për të konsideruar kryengritjen e Euromaidan si një grusht shteti fashist të mbështetur nga SHBA, dhe që“justifikoi’ më pas ndërhyrjen ruse.

Megjithatë, nëse Kremlini po kënaqet me fatkeqësinë e Amerikës, skenat e kaosit të dhunshëm në Uashington janë gjithashtu makthi i tij më i keq. Putini është shumë paranojak në lidhje me “revolucionet shumëngjyrëshe”, siç është ai që përfshiu Ukrainën. Ajo frikë është shtytësi kryesor i politikës së tij të jashtme dhe të brendshme. Në Uashington, ai do të ketë parë me siguri prova se si një parti – ose lider politik -dhe mbështetësit e tij të ekstremit të djathtë, mund të godasin institucionet dhe të shkaktojnë kaos dhe trazira.

Lexo edhe :   Asnjë tolerancë nga rrjetet sociale, Biden e fillon llogarinë nga zero

Gjatë dy dekadave të fundit, Putini ka joshur vazhdimisht grupet dhe mendimtarët ultra-nacionalistë rusë, si dhe ka përfshirë në platformën e tij aspekte të ideologjisë së sotme të ekstremit të djathtë, përfshirë retorikën e “vlerave tradicionale të krishtera” dhe qëndrimet anti-LGBTQ, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e tyre. Por kjo mbështetje ka qenë gjithnjë e dobët.

Një numër i madh figurash të shquara të ekstremit të djathtë iu bashkuan protestave anti-qeveritare në Sheshin Bolotnaja në Moskë në dimrin e viteve 2011-2012. Revolucioni në Ukrainë e konfirmoi frikën e Putinit:sAtje, ai pa që e djathta ekstreme mund të formonte milici shumë efikase të afta të shkaktonin kaos.

Lexo edhe :   Hysaj drejt divorcit me Napolin, mbrojtësi kuqezi pranë gjigandit europian

Ndaj Kremlini realizoi një goditje të fortë, dhe figura të shquara ruse të ekstremit të djathtë u arrestuan ose u detyruan të largoheshin në Ukrainë, ku iu bashkuan njësive vullnetare nacionaliste siç ishte Batalioni i Azovit. Edhe ata që e mbështetën Putinin, duke iu bashkuar forcave pro-ruse në Donbas, u panë me dyshim, dhe me vetëdijen se aleanca midis Kremlinit dhe ekstremit të djathtë varet nga kushte të shumta, dhe nuk është aspak e pathyeshme.

Igor Girkin, një mercenar rus aktiv në Ukrainën Lindore, e cilësoi Putinin si një “lavire amerikane” në një intervistë të tijën në vitin 2017. Duke reaguar ndaj ngjarjeve në Uashington javën e kaluar, mendimtari i krahut të djathtë Dimitri Olshanski – një tjetër mbështetës i guximshëm i luftës së Putinit kundër Ukrainës – shkroi se “njerëzit me brirë në kokë dhe fytyra të pikturuara” brenda Kapitolit, po mbronin në fakt vlerat thelbësore Perëndimore kundër “kalifatit sovjetik”.

Gëzimi i Kremlinit, thotë ai, ishte i parakohshëm, duke paralajmëruar se skena të ngjashme mund të ndodhin shumë shpejt edhe në Rusi.Ultra-nacionalistët dhe neo-nazistët që kanë ikur aktualisht nga Rusia nga frika e ndjekjes penale, ishin edhe më të hapur në mbështetjen e tyre ndaj veprimeve të ekstremistëve amerikanë.

“Uashingtoni është pushtuar”- shkruante Wotanjugend, një platformë neo-naziste e drejtuar nga rusë të arratisur nga Ukraina. Tek e fundit, SHBA-ja nuk është e vetme në luftë me një rritje të ekstremizmit të ekstremit të djathtë, që lulëzon gjatë trazirave politike dhe ëndërron një konflikt të armatosur.

Ashtu si Trump, edhe Putin është përpjekur t`a përdorë në avantazhin e vet zemërimin e tyre. Dhe ashtu si Trump, ai do t`a ketë të vështirë të kontrollojë kërcënimin që deri tani e ka promovuar.

Burimi i lajmit: https://www.politico.eu/article/pro-trump-insurrection-vladimir-putin-worst-nightmare/

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bayern-in e nderon senatori Muller, por sa vuajtje me Freiburg

Fitore me vuajtje. Bayern Munich mposht Freiburg 2-1 dhe në fund duhet të falënderojë fatin pasi miqtë goditën tranversën që mund të sillte golin...

Koronavirusi i ri në Kosovë? Dërgohen 30 mostra për verifikim në Berlin

Kosova ka dërguar 30 mostra në Berlin për të parë nëse koronavirusi i ri ka mbërritur edhe në vendin e tyre. S30 mostra të zgjedhura...

Vaksinimi kundër koronavirusit, Italia vendos rregulla të reja

Italia vendos rregulla të reja për procesin e vaksinimit kundër koronavirusit. Personat mbi moshën 80 vjeç do të rezervojnë një vend me mjekët e...

Karakaçanov: Maqedonia e Veriut, pjesa më tragjike e historisë bullgare

Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov ka përjashtuar çdo mundësi që Sofja të heqë dorë nga kërkesat e saj në raport me Maqedoninë e Veriut,...

Foto/ Kërkesa e Rugovës për të hyrë në Shqipëri gjatë kohës së Enver Hoxhës

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte bërë kërkesë në prill të vitit 1980 për të hyrë në Shqipëri, ku kishte treguar se qëllimi i...