Pse Ilir Meta i la rrugëve kontrollorët e Rinasit?

Nga: Mero Baze

Qeveria shqiptare arriti të vendosë kontrollin mbi Aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, pasi një ekip teknik prej 65 kontrollorësh, deklaruan brenda një dite “paaftësinë” e tyre për punë, për “shak të stresit”, një spekulim i nxitur politikisht, bazuar në praktikat formale të punës në atë institucion.

Lënia e punës prej tyre shkaktoi mbylljen e Aeroportit ndërkombëtar dhe vonesa që shkaktuan drama të mëdha tek qytetarët e vendit, biznesi dhe deri tek shëndeti publik, me vonesën e 100 mijë vaksinave, që priteshin të vinin dje.

Ilir Meta dhe Sali Berisha i dolën zot grevës së “kontrollorëve”, të cilët nga mbiemrat duket që janë një rrjet nepotik në shumicë e LSI dhe pjesa tjetër e PD, emëruar prej tyre në kohën që kanë qenë në pushtet.

Por strategjia për ta bllokuar duket se ka qenë e hershme. Prej disa muajsh kontrollorët kishin vendosur një komunikim formal me presidentin, për të justifikuar sulmin dy javë para zgjedhjeve.

Ata kishin takuar presidentin në fillim të marsit dhe ishin përgatitur që goditjen finale aeroportit t’ia jepnin për nevoja politike, në fushatë elektorale.

Vet presidenti, dy ditët e fundit ka qenë tërësisht i angazhuar me këtë problem, dhe dje, ndërsa Aeroporti i Rinasit u bllokua, ai shkoi në Vlorë të niste prej andej revolucionin, duke mbështetur kontrollorët dhe duke sulmuar Qeverinë.

Por përse sot, ai i la rrugëve dhe në burg kontrollorët, dhe bashkë me Sali Berishën, nuk po i dalin më zot revolucionit të nisur?

Arsyeja  e parë ishte reaksioni që ngjalli tek faktori ndërkombëtar ajo që po kurdiste Ilir Meta. Diplomatët perëndimorë në Tiranë identifikuan qartë Ilir Metën si organizator të kësaj historie.

Ambasada amerikane, e cila është e përfshirë në ethet e organizimit të stërvitjes së NATO-s dhe trupave amerikane më 26 prill në Shqipëri, nuk ka luksin të shikojë në Shqipëri, që Aeroporti i vetëm ndërkombëtar të jetë në duar të Ilir Metës, dhe nga ai të varet fati i një prej ngajrjeve më të madha në raportet Shqipëri- NATO.

Shfaqja  e ushtrisë shqiptare pranë kullës së vrojtimit në Rinas dhe identifikimi politik i problemit, nxorrën tërësisht jashtë loje bazën mbështetëse të këtij akti terrorist të presidentit Ilir Meta.

Të përdorur keq nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, kontrollorët tani janë braktisur të vetëm përballë prokurorëve, që kanë bërë tre ndalime dhe të tjerëve që janë nën hetim të lirë, për të zbardhur skemën politike të bllokimit të Rinasit.

Falë 65 kontrollorëve që nuk ju bashkuan çmendurisë së Ilir Metës dhe ndihmës që Qeveria turke dha me kontrollorë të përkohshëm, për të mos bllokuar Aeroportin, sot Ilir Meta ka dalë zbuluar, pasi nuk ja doli të bllokonte Shqipërinë nga ajri, përmes celulës së LSI-së në Rinas dhe nga toka përmes Kosovës me Albin Kurtin.

Të parët që ai ka braktisur janë ushtarët që përdori, duke u përpjekur të rifaktorizohet tashmë si negociator mes tyre dhe Qeverisë, ndërkohë që është palë dhe një gjeneral i një ushtrie të kapitulluar, prej 65 vetësh.

“Stresimi” i 65 kontrollorëve brenda ditës, dhe çmendja e tyre në në të njëjtën kohë me Ilir Metën, është fakt i mjaftueshëm, që ata e kanë të përbashkët stresin dhe çmendurinë me Ilir Metën.

Por nuk e kanë nga avionët që ulen e ngrihen, por nga zgjedhjet që vijnë e shkojnë, e ata i humbasin.