Nga: Ervis Iljazaj
Opinioni publik shqiptar është mësuar me çështje të ndryshme në debatet në mediat e shkruar apo vizive. Çështje të cilat sigurisht mund të jenë të rëndësishme, por jo aq sa ato kur bëhet fjalë për ekonominë e një vendi, siç është ligji për buxhetin e shtetit.
Në parlament kanë filluar procedurat për ligjin e buxhetit të vitit 2020, një buxhet i cili nuk duket aspak premtues për vitin e ardhshëm. Më së paku, të gjitha indikatorët ekonomikë do të qëndrojnë konstant, në mos në ndonjë rast do të shënojnë ulje.
Çdo tematikë tjetër gjendet në këto ditë në mediat shqiptare, duke filluar që nga rasti i Alvinit e deri të mini shengeni Ballkanik, përveçse problematikave të ekonomisë shqiptare, që teorikisht duhet të marrin rrugëzgjidhje nëpërmjet ligjit të buxhetit.
Fatekeqësisht që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, qeverisja e Shqipërisë ka mbetur në vend. Për çdo gjë tjetër është folur këto dy vite, përveçse politikave ekonomike, shoqërore apo zhvilluese.
Kjo ka ardhur si pasojë edhe e mentalitetit të mediave shqiptare, të cilat nuk i konsiderojnë aspak atraktive, dhe në këtë kuptim me audiencë të vogël çështjet e ekonomisë.
Por, edhe si pasojë e faktit se në këto dy vite shumë pak ose aspak ka iniciativa qeverisëse të mirëfillta, të cilat mund të debatohen dhe diskutohen. Dhe ky është një hap i madh për debatin publik shqiptar, për ekonominë dhe demokracinë shqiptare. Edhe kësaj here, me sa duket ligji i buxhetit do të ezaurohet vetëm në një seancë parlamentare.
Nuk ka ligj më të rëndësishëm se sa ligji i buxhetit të shtetit. Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni qeverisës i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozite. Në këtë kuptim, ku ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.
Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta, dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.
Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.
Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.
Edhe pse ligji i buxhetit është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike. Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.
Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij.
Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shtetit. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.
Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.
Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematikore dhe kaq. Ndërkohë që, ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë. /Gazeta Liberale