Edhe pse iu hodhën gaz lotsjellës, protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë në bulevard, por kanë kaluar nga ana tjetër e kryeministrisë. Ata qëlluan më sendë të forta, grushte e shkelma mjetin e Policisë së Shtetit, që ndodhej aty i parkuar.
Ndërkohë, një nga efektivët ka ndërhyrë. Ai është futur brenda në mjet dhe ka larguar makinën që aty. Disa prej të rinjve kanë bërë edhe thirrje për mos goditjen e mjeteve.
Qindra qytetarë pasditen e kësaj të mërkure kanë dalë në protestë përpara ministrisë së Brendshme, ku kërkojnë drejtësi për Klodjan Rashën, të riun që u vra në orën e para të mëngjesit të së martës nga efektivi i policisë.
Me thirrjet “duam Drejtësi”, “Poshtë komunizmi”, por edhe sharje dhe ofendime në drejtim të Policisë së Shtetit, protestuesit e shumtë kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj.
Klodian Rasha, 25-vjeç është ekzekutuar me dy plumba këtë të martë, 8 dhjetor, nga një efektiv policie. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Laprakës në kryeqytet, pasi i riu kishte dalë orët e para të mëngjesit jashtë banesës së tij, duke thyer orën policore.
Policia shprehet se Rasha ka kërcënuar efektivin e policisë, ndaj ai ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe në errësirë. Por, ndryshe thonë familjarët dhe fqinjët të cilët shprehen se rruga është me ndriçim dhe i riu nuk mbante asnjëherë armë me vete.