Politikë

Protesta e studentëve, reagon Shahini: Lanë nam

               Publikuar në : 16:59 - 22/05/19 S.N

Vjen edhe reagimi i ministres Shahini pak orë pas përfundimit të protestës së studentëve. Ajo ka zgjedhur të shprehet në lidhje me këtë ngjarje me anë të një postimi në Facebook, ku ndër të tjera shprehet se ky ishte ‘një cenim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues’.

“Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.”

Protesta, e cilësuar si një ‘protestë kombëtare studentore’ mblodhi sot në orën 12:00 një grup studentësh të cilat marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Ndryshe nga protestat e mëparshme studentore, kjo protestë ishte më e vakët. Studentët e mbledhur ishin shumë më të paktë në numër dhe protesta zgjati vetëm 1 orë.

“Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me ‘protestën’ e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar”, vijon më poshtë Shahini, duke ironizuar se pjesë e kësaj proteste ishin edhe militantë partie.

Postimi i plotë i ministres Shahini:

Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune.

Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.

Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT