E diel, 17 Tetor, 2021
17.5 C
Tirana

Prokurorët, në ‘grackën’ e drejtësisë. Kush qëndron pas mandat-arresteve?

Do kemi ndëshkim real të të “paprekshmëve” të drejtësisë, apo vetëm një shfaqje për të krijuar idenë se Refoma në Drejtësi po funksionon? Pas akuzave ndaj SPAK për “pafuqi përballë të fortëve”, e sidomos pas mosfillimit të hetimeve për shumë denoncime, duket se tashmë diçka po lëviz. Vizitat e shpeshta të Ambasadores Amerikane Yuri Kim në institucionet e SPAK dhe BKH, këmbëngulja e saj dhe Ambasadorit të BE-së, Soreca, që të shohim vërtet një kurajë në drejtim të ndëshkimit të krimit dhe korrupsionit, duket sikur kanë nisur të japin rezultat.

Por, pas këtyre hapave, shumë shqiptarë duket se po pyesin: nga kush po arrestohen prokurorët në Shqipëri? Pse tani kjo valë arrestimesh? Kush qëndron pas këtyre mandat-arresteve? Këto pyetje më shumë lidhen me dyshimin nëse do kenë rezultat në fund, apo do kemi sërish “pafajësi”, duke i kthyer aksionet e fundit policore në një komedi?

Pra, a do të kemi një hetim dhe ndëshkim, apo vetëm propagandë? Gjithsesi, tre prokurorë, Maksim Sota, Edmond Karriqi, Sali Hasa, janë tashmë në rrjetën e drejtësisë. Nuk janë akuza shumë të ashpra, por me shumë gjasë mund të jenë nisja e një procesi ku qytetarët të besojnë se Perandoria e Pandëshkueshmërisë nuk do të jetë më kaq e paprekshme. Përveç tyre, dhe një gjyqtare është nën pranga për lirimin korruptiv të të fortëve. Por, a do të kemi vërtet një hetim?

Maksim Sota, prokurori i Vlorës që garoi edhe për SPAK

Një nga emrat e dalë nga super operacioni kundër “trafikut ndërkombëtar të drogës”, është edhe ai i prokurorit të Vlorës, Maksim Sota. Megaoperacioni “Shpirti”, prangosi prokurorin i cili për një periudhë të gjatë drejtoi Prokurorinë e Vlorës, dhe tashmë është lënë në “arrest shtëpie”. Arsyeja pse Sotës i është caktuar kjo masë e lehtë sigure, është sepse ka një fëmijë të sëmurë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Karriera

Sota e ka nisur detyrën në krye të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2010, dhe ka qëndruar aty deri në vitin 2019, një periudhë me problematikë të theksuar për kriminalitetin. Sota ka qenë kandidat për tu bërë pjesëtar i SPAK, por nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij, përkundrazi është prangosur nga ky institucion. Prokuroi Sota ende nuk e ka kaluar Vettingun.

Përgjimet nga SPAK/ Prokurori Edmond Karriqi u kap sapo mori 2 mijë euro nga një person nën hetim

Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë e Kukësit u arrestua, pasi akuzohej për “korrupsion” dhe për “përfshirje në grupet kriminale të trafikut të drogës”. Ai u prangos në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qytetin e Kavajës, pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas arrestimeve, të prokurorit, shoferit të tij dhe të dy personave të tjerë, policia ka shkuar të ushtrojë kontroll edhe në shtëpinë e Karriqit.

Drejtuesin e përkohshëm të Prokurorisë së Kukësit, Edmond Karriqi e ‘morën në qafë’ përgjimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Karriqi u vu në pranga në bulevardin kryesor në qytetin e Kavajës, kur sapo kishte marrë dy mijë euro ryshfet nga një person që ishte vënë nën hetim.

Bashkë me Karriqin u vu në pranga dhe Isuf Bega, i cili është Sekretar në Prokurorinë e Kavajës. Gjithashtu janë prangosur edhe dy persona të tjerë me inicialet  D.D. dhe E. B., të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, të kryer në bashkëpunim”. Edmond Karriqi ushtron detyrën e tij në Kukës. Ai është prokurori që hetoi çështjen e këngëtares Fjolla Morina që u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinës. Sot Morina është në arrati, edhe pse është dënuar në mungesë më gjashtë vite burg nga Gjykata e kukësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka bërë dhe një kërkesë, për shpalljen në kërkim ndërkombëtar për këngëtaren nga Kosova.

Arrestohet për korrupsion prokurori i Sarandës, Sali Hasa

Prokurori i Sarandës, Sali Hasa u arrestua me urdhër të SPAK. Në njoftimin e Prokurisë së Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, thuhet se në pranga janë vendosur edhe 5 persona të tjerë të akuzuar për vepra të ndryshime penale. Hetimet nisën nga SPAK rreth 1 vit më parë, kur nën vëzhgim u vendos një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në trafikun e drogës. Nga hetimet doli në dritë një aferë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Prokurori i Sarandës kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për “plagosje të lehtë me dashje” dhe “mbajtje të armëve të ftohta”, por ai e ka pushuar çështjen me ndërhyrjen e motrës së të dyshuarit Elsiona Papa, që dyshohet se i dha ryshfet prokurorit për të liruar vëllain. Gjatë kontrollit të banesës së prokuorit Hasa, atij i janë gjetur në banesë një shumë prej 11 milionë lekësh të vjetra dhe 2 mijë euro.

Prokurori Hasa u la në burg, pasi sipas SPAK, ai dyshohet se i mori një shumë parash shtetases, Elsiona Papa, për t’i pushuar dosjen vëllait të saj, Emiljano Miranit, pasi akuzohej dhe ishte vënë nën hetim për plagosje. Referuar dosjes së Prokurorisë, Papa është fotografuar në zyrën e prokurorit së bashku me Edison Korkutin, i cili u plagos nga vëllai i saj. Sipas hetimeve, motra e të pandehurit ndikoi te prokurori për të pushuar hetimet për vëllain e saj që akuzohej për “plagosje me dashje” dhe “mbajte të armëve të ftohta”. Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votë unanime pak ditë më parë, pezullimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa. Në njoftimin e lëshuar nga KLP, theksohet se vendimi për pezullimin vjen për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Vendimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur pezullimi, ndërsa prokurori mund të bëjë ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.

“Kam fëmijën autik”, gjyqtarja Enkelejda Hoxha lihet në burg

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti, pasi nga përgjimet rezultoi se kishte marrë ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, Manuela Mallkuçi, por më vonë ai u la i lirë.

Hoxha depozitoi një kërkesë, ku kërkoi një masë më të butë sigurie, me arsyetimin e gjendjes shëndetësore të djalit të saj autik.“Kam djalin autik”, mësohet të ketë theksuar Hoxha, por pavarësisht pretendimin Gjykata e Posaçme e Apelit e ka lënë në burg gjyqtaren. /TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mbështetësve të Lulzim Bashës tani po u del “droga”

Nga: Alfred Peza Lehtësia e papërballueshme me të cilën Lulzim Basha u artikuloi vendimin për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, pas...

Itali/Vodhi brioshët, të nesërmen i paguan. Pronari i lokalit i ofron një punë

Ai vjedh brioshët në lokal, pastaj të nesërmen kërkon falje dhe paguan. Një histori dëshpërimi, por edhe mbi të gjitha dinjiteti dhe solidariteti që...

Kolumbia sterilizon hipopotamët e “Mbretit të kokainës”

Një grup hipopotamësh - një trashëgimi e padëshiruar pas vdekjes së mbretit famëkeq të drogës kolumbiane Pablo Escobar - po sterilizohen. Escobar, i cili u...

Rusia në gjendje emergjence nga infektimet, një mijë të vdekur në një ditë

Rusia të shtunën regjistroi 1.000 vdekje në një ditë të vetme për herë të parë, që kur filloi pandemia. 222.000 vdekjeve nga Covid është...

Misioni Lucy i NASA-s do të kërkojë ‘fosilet’ e Sistemit Diellor

Një anije kozmike është nisur nga Kepi Canaveral me një mision për të zbuluar "fosilet" e Sistemit Diellor. Sonda Lucy do të shkojë në...