Fjolla Morina do të qëndrojë në paraburgim për 40 ditë deri në përfundim të hetimeve nga ana e prokurorisë. Dy ditë pas arrestimit në Prishtinë, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, për 40 ditë, për këngëtaren Fjolla Morina, nën akuzën e trafikut të armëve.
Arratia e këngëtares Fjolla Morina mori fund pasditen e 17 korrikut ku ajo u arrestua në një lokal në Prishtinë. Ajo u preangos pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës bëri kërkesë për shpallje në kërkim ndërkombëtar të këngëtares më 20 prill të këtij viti, pasi u dënua me 6 vjet burgim për “Trafik të armëve dhe municionit”.
Këngëtjarja u arratis në fillim të këtij viti nga banesa në Kukës ku qëndronte në arrest shtëpie. Kërkesa për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Morinës u firmos nga prokurori Edmond Karriqi, i cili ndryshoi fillimisht edhe akuzën ndaj këngëtares. Morina u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vjet burgim dhe me zbritjen e 1/3-s së dënimit, ajo do të kryejë 6 vite burgim. Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga “Armëmbajtje pa leje” në “Trafikim ndërkombëtar të armëve”, që e rëndoi pozitën e këngëtares.
Pse u prangos Morina?
Këngëtarja Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2019 menjëherë sapo kaloi Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës drejt Kukësit, e shoqëruar nga i fejuari i saj, Fisnik Syla, dhe shoferi Fitim Muji. Sipas dëshmive të dhëna nga Morina, Syla dhe Muji po udhëtonin drejt Tiranës sepse “e pandehura kishte për të bërë një klip”. Policia ushtroi kontroll në makinë mbi dyshime, të cilat nuk u deklaruan dhe përshkruan në vendimin e Gjykatës së Kukësit. “Gjatë kontrollit në çantën personale të së pandehurës Fjolla Morina, është zbuluar një send i dyshuar si armë zjarri”, thekson Gjykata, ndërsa shton se në çantë ishin edhe tre fishekë, ndërsa 32 fishekë të tjerë u gjetën në mbajtësen e krahut të automjetit./Tirana Today