Prindër, mjaft u fokusuat vetëm tek smartfonët tuaj kur jeni me fëmijët

Kemi dyshuar prej kohësh se përdorimi i telefonave inteligjentë, ka edhe efekte anësore në jetën tonë. Për shembull, vitet e fundit kemi lexuar si telefoni celular e ka zbehur nivelin e përqendrimit tek nxënësit dhe studentët në shkolla.

Madje kemi zbuluar se ecja me vështrimin e përqendruar vazhdimisht mbi ekranin e vogël, na shkakton dëmtime në qafë. Por mbi të gjitha e kemi provuar se si kjo pajisje teknologjike po na e shkatërron cilësinë e komunikimi me ata që na rrethojnë.

Është një konfirmim

Tani një studim i përbashkët midis studiuesve të departamenteve të Psikologjisë dhe Sociologjisë të Universitetit të Milanos, konfirmon në veçanti, efektet e përdorimit të smartfonit në mjedisin familjar.

Sipas hulumtimit të botuar në “Journal of Social and Personal Relationships”, të kushtuarit shumë vëmendje telefonit në prani të fëmijëve, i përkeqëson marrëdhëniet më ta deri në atë pikë sa të ketë pasoja në mirëqenien psikologjike të tyre.

Kjo sjellje, e njohur në mesin e ekspertëve si “phubbing”, ishte studiuar deri më tani kryesisht brenda ambienteve të punës dhe marrëdhënieve në çift, me rezultatin se ata që e vuajnë atë, përfundojnë duke e parë të kompromentuar mirëqenien e tyre psikologjike, por edhe cilësinë e marrëdhënies me kolegët apo partnerin.

Me këtë studim, që përfshiu 3.000 adoleshentë të moshës 15-16 vjeç, studiuesit donin që të zgjeronin vëzhgimin e dukurisë “phubbing” në sferën e prindërve. Ata treguan se adoleshentët që ndiheshin më shumë viktima të “phubbing” nga prindërit e tyre ndiheshin gjithnjë e më të distancuar prej tyre, të shkëputur nga shoqëria, të injoruar dhe të përjashtuar.

Jemi vetëm në fillim

Sipas Luka Pankanit, psikolog social dhe një nga autorët e studimit, “phubbing” është një dukuri e përjashtimit social në të gjitha aspektet, që nxit ndjenjën e të qenit i injoruar, dhe i padukshëm për të tjerët.

Lexo edhe :   'Vriteni'/ Shokuese në Palestinë: Babai hedh fëmijën përpara ushtarëve (Video)

Pra ai e bën njeriun të ndihet “jo-ekzistent” në një kontekst të caktuar. “Edhe pse tanimë ky fenomen është i rrënjosur në shumë raporte sociale”- shton Ticiano Gerosa, sociolog dhe bashkautor i studimit, “phubbing”mbetet një fenomen relativisht i kohëve të fundit dhe për këtë arsye nuk është rregulluar ende nga norma të qarta shoqërore, si ato që sugjerojnë për shembull, se si duhet të sillemi në tryezë, si t’i qasemi të tjerëve ose të shprehemi në situata të caktuara.

Ky studim, dhe përhapja e rezultateve të tij, mund të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit mbi këtë çështje, dhe të nxisë ndërtimit të normave sociale, që vendosin kufij mbi“phubbing” sesa ta pranojnë pasivisht këtë fenomen.

Në fund, studiuesit argumentojnë se kjo mund të jetë vetëm faza e parë e kërkimit të tyre. Ata kanë ndërmend të bëjnë një seri studimesh të ardhshme më të thelluara, që synojnë të tregojnë “qarkullimin” e këtij fenomeni:pra që nuk janë vetëm fëmijët që pësojnë “phubbing” nga prindërit e tyre, por edhe prindërit e vuajnë këtë dukuri mbi shpinë nga fëmijët e tyre, duke nxitur kështu një rreth vicioz që shton pasojat e tij negative brenda kontekstit familjar.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/scienza/salute/genitori-smartphone-phubbing

Përshtatur nga TIRANA TODAY