Presidenti Meta kthen ligjin për pezullimin e vetingut në polici, ja arsyet

Pjesë nga arsyetimi zyrtar i Presidentit:

Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politik për ta mbajtur procesin e vetting-ut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi  përkundrejt trupës policore.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përmbajtjen e të tre ligjeve ndryshuese, të vitit 2019, 2020, 2021, dhe mospërmbushjes së objektivave të parashikuara në ligjin bazë nr. 12/2018, evidenton qartë se është pikërisht vullneti politik i mazhorancës për ta mbajtur këtë proces të hapur pambarimisht për të patur një mekanizëm presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore, qëllimi real i ndryshimeve kaq të shpeshta në këtë ligj, pasi ligji bazë nr. 12/2018, është vlerësuar si një nismë pozitive.

 Lidhur me këto qëllime politike përgjatë ndërhyrjes në ligjin bazë, Presidenti i Republikës, ka arsyetuar në mënyrë shteruese në të dy dekretet e tij – Dekretin nr. 11175, datë 19.04.2019 dhe Dekretin nr. 11536, datë 08.07.2020, arsyetime me gjetje e vlerësime këto, të cilat konfirmohen sërish sot, kur Kuvendi ka realizuar ndërhyrjen e 3-të në ligjin bazë, sërish me të njëjtin qëllim politik, mbajtjen e Policisë së Shtetit nën trysni dhe presion politik, për ta keqpërdorur atë.

 Ligji nr. 30/2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike, cenon parimet dhe standardet e vendosura me ligjin bazë nr. 12/2018, pasi përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme Kuvendi vijon të heqë një e nga një garancitë për një proces kaq të rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, ç’ka konfirmon të gjitha dyshimet se ky proces nuk do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë kështu edhe një hap tjetër pas, në raport me standardet e ligjit bazë nr. 12/2018.

Lexo edhe :   Gabimi strategjik i Metës në Vlorë