Presidenti i Sllovenisë: Kundërshtoj me forcë ndryshimin e kufijve në Ballkan

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor hodhi poshtë idenë e ndryshimit të kufijve të shteteve të ish-RSFJ-së dhe tha se ai mbështeste zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Pahor tha në konferencën për shtyp se ai nuk kishte asnjë informacion në lidhje me “letrën” dhe se ai nuk kishte biseduar për këtë me kryeministrin Janez Jansha.

“Unë mbroj tezën se do të ishte më mirë për BE të vendoste të përfshinte të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE”, u shpreh ai.

Sipas tij, zgjerimi i Bashkimit Europian po bëhet çështje kohe, jo vetëm i vullnetit politik.

“Ritmi i ngadaltë i zgjerimit po shkrin besimin në perspektivën evropiane në këto vende dhe pasojat mund të jenë forcimi i nacionalizmit dhe rritja e ndikimit të vendeve të treta”,- tha Pahor.

Ai vuri në dukje se zgjerimi do të parandalojë shfaqjen e ideve të rrezikshme në lidhje me ndryshimin e kufijve, të cilat, siç tha ai, i kundërshton me forcë.