Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë gjermanë që të rishqyrtojnë pozicionet e tyre. Kjo thirrje vjen një ditë pas kolapsit të bisedimeve për koalicion, që kanë shkaktuar krizën më të rëndë politike në vend prej dekadash.
Pas bisedimeve me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti u shpreh se do të takojë gjithë krerët e partive të tjera këtë javë. Ai u kërkoi liderëve politikë që të bënin një rishikim në mënyrë që t’u lejonte atyre të formonin një qeveri dhe të shmangnin qeverinë e pakicë, apo zgjedhjet e parakohshme.
“Do të kishte paqartësi dhe shqetësim të madh brenda dhe jashtë vendit tonë, sidomos në Europë, nëse forcat politike në shtetin më të madh dhe më të fortë ekonomikisht të kontinentit nuk përmbushin dot përgjegjësitë e tyre”, deklaroi Steinmeier.
Ishte Partia e Lirë Demokratike që i dha fund bisedimeve për koalicion para mesnatës të dielën, pasi kreu i saj Christian Lindner tha se nuk ka bazë besimi mes forcave politike. “Ishte më mirë të mos qeverisesh sesa të qeverisesh keq”, shtoi ai.
Ndërkohë kriza është kërcënimi më serioz ndaj Angela Merkel, që kur ajo u bë kancelare në vitin 2005. Ajo deklaroi se kriza solli një ditë reflektimi të thellë për progresin e Gjermanisë. “Si kancelare, do të bëj gjithçka për të siguruar se ky vend do të menaxhohet mirë në javët e vështira që do të vijnë”, tha ajo pas bisedimeve me presidentin gjerman.
Nëse politika nuk arrin asnjë marrëveshje, me gjithë nxitjen e presidentit, ky i fundit mund të shpërbëjë Parlamentit dhe të thërrasë zgjedhje të reja. /TIRANA TODAY/