Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, pas deklaratave të sotme të Ardian Dvoranit. Ky i fundit, i pyetur per videot me përmbajtje erotike, të përmenduar nga Presidenti Meta, i ka quajtur ato materiale artistike, filma me metrazh te shkurtër. Zëdhënësi i Metës e cilëson Dvoranin si një dhunues të Kushtetutës dhe ligjit, dhe se nuk presion asnjë reflektim publik. Po kështu ai nënvizon se nuk do të ndalen, deri në vendosjen e drejtësisë në vend.
Statusi
Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.
Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.
Dvorani dëshmoi sot për 3 orë në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me kallëzimin që Presidenti Ilir Meta ka bërë ndaj tij.
Kreu i Shtetit e akuzon Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim të titullit shtetëror” në lidhje me procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.